Rreth 280 mijë qytetarë që janë të punësuar në sektorin privat mund të mbesin pa paga për shkak të vendimeve që ka marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Qeveria ndonëse thotë se është duke punuar në ndërmarrjen e hapave për ta kaluar këtë krizë ekonomike, ende asnjë plan konkret nuk ka bërë.
Megjithatë Zyra e Kryeministrit ka një rikujtim për të gjithë punëdhënësit.
“Rikujtojmë se punëdhënësit, sidomos ata të regjistruar, kanë obligim ligjor, sipas Ligjit të Punës, neni 61, që të kompensojnë punëtorët e tyre të paktën për muajin mars 2020”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Albin Kurit për Insajderin.
“Sipas nenit të lartpërmendur, me vendim të organit të autorizuar shtetëror, për shkak të pasigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit në punë, i/e punësuari/ja (punëtori/ja) ka të drejtën e mungesës me arsye nga puna”.
“Me ç’rast gjatë mungesës së përkohshme në punë për shkak të pasigurisë në vendin e punës, e cila nuk mund të zgjasë më shumë se dyzetepesë (45) ditë në vitin kalendarik, atij/asaj i takon e drejta e kompensimit të pagës sikur të kishte punuar”.