Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka duhet të japë dorëheqje, pas deklaratave të këtij të fundit se do të bëjnë kompromis me Serbinë, raporton Express.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se një ofertë e tillë “i mundëson Serbisë që të Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit”.
“Ky Ministër duhet menjëherë të japë dorëheqje para se t’i kërkohet ajo. Këto deklarata dhe sjellje të rrezikshme politike të Qeverisë së Mashtrimit, njëherë me heqje të taksës e tash me ofertën e qasjes në Adriatik, prodhojnë pasoja të nënshtrimit dhe kapitullimit politik”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas deklaratave të Rekës.
Sipas PDK-së, deklarimet e Rekës janë rrezikshme për shtetin e Kosovës.
“Si kompromis për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Ministri i Vetëvendosjes ka propozuar që Serbisë t’i hapet korridori për daljen në Detin Adriatik. Kjo ide e Ministrit të Vetëvendosjes është rehabilitim i të gjitha përpjekjeve historike serbe, që nga Naçertanje, luftërat ballkanike, projektet e Nikola Pashiqit, Jovan Cvijiqit, e Ivo Andriçit, për ta zhbërë jo vetëm Kosovën, por edhe shtetin shqiptar”, thuhet në reagimin e PDK-së.