Ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka është duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane. Në kuadër të raportimit të tij, ai ka thënë se ministrinë të cilën e drejton, e ka gjetur në një situatë jo të lakmueshme.
Reka i ka paraqitur para anëtarëve të këtij komisioni prioritetet e punës së tij, duke thënë se çështje prioritare është liberalizimi i vizave për Kosovën.
Por, sipas tij, për të ndodhur një gjë e tillë duhet të ketë luftim të korrupsionit dhe dënim të rasteve të profilit të lartë, raporton KSP.
“Prej 61 rasteve të shënjestruara të profilit të lartë nuk është përfunduar asnjë, atëherë edhe të mos habitemi pse po ngec procesi i liberalizimit të vizave. Rreth 400 mijë euro para të pashfrytëzuara nga IPA. Ne do të përpiqemi ta tejkalojmë këtë vonesë në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ai.
Reka ka deklaruar se ato shtete që po kërkojnë rezultate në rastet e profilit të lartë janë shtete që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.