Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ku është krijuar Komisioni i Posaçëm për luftën kundër infektimit me koronavirus, ka përmendur edhe mundësinë e mbajtjes së mbledhjes korrespoduese të qeverisë së Kosovës, që mund të realizohet përmes komunikimit me e-mail.
Kurti ka thënë se një mënyrë të tillë të mbledhjeve e lejon edhe ligji për funksionimin e qeverisë përkatësisht Neni 17.
Të gjithë anëtarët e qeverisë mund të japin komentet dhe qëndrimet e tyre për propozimet e bëra nga kryeministri.
Afati për të kthyer një përgjigje përmes e-mailit është 4 orë pas bërjes publik. Siç ka treguar Kurti, pas kalimit të këtij afati nëse nuk ka kundërshtime, atëherë konsiderohet se propozim-vendimi është miratuar dhe procedohet tek kryeministri për nënshkrim.
“Kemi mundësinë për mbajtjen e mbledhjes korrespoduese, në pajtim me nenin 17 që do të realizohet përmes komunikimit elektronik. Afati i caktuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës është katër orë. Të gjithë anëtarët mund të japin komente rreth propozimit”, ka thënë Kurti.