Shkëputja e kontratës nga MIE u raportua edhe në Departamentin e Drejtësisë në SHBA

Në shkresat e lëndës që “Madison Global Strategies” ka dërguar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA shpalosen detaje të reja mbi kontratën e lobimit të dhënë vitin e kaluar nga ish-ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Agon Sinanaj

Në shkurt të këtij viti, kompania amerikane “Madison Global Strategies”, e kishte raportuar në Departamentin e Drejtësisë në SHBA shkëputjen e njëanshme të kontratës nga pala kosovare.

Reklama e sponzorizuar

Sipas ligjit në SHBA, çdo amerikan i paguar nga një entitet i huaj për të promovuar brenda Shteteve të Bashkuara interesat e një qeverie, personi apo organizate të huaj duhet të regjistrohen në Departamentin e Drejtësisë si një agjent i huaj (FARA).

Në raportimin e saj në FARA, kompania amerikane shkruan se kontrata me Ministrinë e Integrimit Evropian të Kosovës (MIE), e cila kishte një afat prej nëntë muajsh, u shkëput në shtator të vitit 2019-të, vetëm tre muaj pasi kishte filluar zbatimi i kontratës.

“Kontrata mes Madison Global Strategies dhe Ministrisë së Integrimit Evropian u nënshkrua me 18 qershor, 2019, dhe u ndërpre me 6 shtator 2019”.

Aty shpalosen edhe detaje rreth punëve që kjo kompani kishte kryer për MIE, për tre muaj sa kishte zgjatur kontrata.

“Për kohën sa kontrata ishte efektive, Madison Global Strategies, ka kryer vetëm shërbime hulumtuese”, thuhet në raport, mirëpo pa e saktësuar se për çfarë hulumtime bëhët fjalë.

Po ashtu kompania thotë se për këtë kohë, nga MIE ka pranuar një pagesë prej 49 mijë dollarë.

Për këtë shkëputje të kontratës, “Madison Global Strategies” është duke kërkuar nga shteti i Kosovës një dëmshpërblim prej 513 mijë eurove, dhe ka kërcënuar me arbitrazh. Përdërisa vlera e kontratës bazë në total është 152 mijë euro.

“Madison Global Strategies” është në pronësi të një çifti nga Nju Jorku, Joey Allaham dhe Lauren Allaham, i pari një biznesmen restorantesh, kurse Lauren, një blogere e gastronomisë.

Vendimi i MIE për shkëputje të kontratës

Buletini Ekonomik ka siguruar edhe vendimin e Ministrisë së Integrimit Evropian (MIE) për shkëputje të kontratës, i nënshkruar nga Udhëheqësi i Divizionit të Prokurimit në MIE, Burim Guri dhe nga Kushtrim Cukaj, Sekretar i Përgjithshëm në MIE.

“Me datën 06.09.2019, Ministria e Integrimit Evropian ka njoftuar Operatorin Ekonomik “Madison Global Strategies LLC” për pezullim të aktiviteteve dhe shërbimeve. Me datë 10.10.2019 Ministria e Integrimit Evropian me shkrim ka njoftuar Operatorin Ekonomik “Madison Global Strategies” për shkëputje të kontratës”, thuhet në vendim.

Në vendim nuk jipen shumë detaje, mirëpo rreth kësaj më shumë zbulon raporti mbi kontratat e lobimit i ministrit aktual Blerim Reka, një kopje të te cilit e posedon Buletini Ekonomik.

Në këtë dokument thuhet se me 6 shtator 2019-të, zyrtartët e MIE-së e njoftuan kompaninë për ndërprerje të njëanshme të kontratës me arsyetimin se qeveria është në dorëheqje dhe se nuk mund të kryhen më pagesa.

Por, dokumenti i ministrisë që këto ditë ka përfunduar edhe në Zyrën e Kryeministrit Kurti, hedh dyshime nëse është dashur të shkëputet kontrata. Madje, aty vihet në dyshim edhe arsyetimi se “kjo gjë është bërë për shkak të dorëheqjes së qeverisë”.

“Pra, derisa në rastin e kontratës lobuese me kompaninë amerikane, është kërkuar ndërpreja e kontratës shkaku i dorëheqjes së qeverisë (me 19.07.2019), në kontratën mediale dhe në kontratën lobuese me kompaninë fraceze, kjo nuk është bërë por, MIE ka vazhduar pagesat kontraktuese edhe pas dorëheqjes së Qeverisë”, thuhet ay.

Pra, në kontratat tjera të kësaj ministrie u gjet se nuk ishin aplikuar standarde të njëjta. Pagesa ishin kryer edhe pas dorëheqjes së qeverisë.

Dyshime për shkelje të ligjit dhe Arbitrazhi

Në raportin e ministrt Reka thuhet se këto veprime dyshohet se bien ndesh me ligjin.

“Bazuar në shkresat, duket se ka dyshime për shkelje të ligjit dhe si rrjedhojë kjo kontratë duhet trajtuar si e ndërprerë që me 6 shtator 2019, përkatësisht me vendimin e MIE të datës 11.11.2019”, thuhet aty.

Madje, raporti saktëson se “bazuar në disa informacione jo-zyrtare për implikim të ish zyrtarëve të lartë nga vendi i selisë së kësaj kompanie, ky rast, pos pasojave juridike, gjyqësore dhe financiare, mund të shkaktojë edhe pasoja politike e diplomatike”.

Në raport thuhet se meqë kompania lobuese nuk po heq dorë nga kërkesat për pagesën e mbetur nga ana e MIE-së, “duke na kërcënuar me shumëfishimin e saj dhe nxjerrjen e të njejtës me procedurë të arbitrazhit ndërkombëtar”,  propozohen të ndërmerren tre hapa.

“Së pari duhet bërë edhe një përpjekje për mbylljen e këtij transkacioni kontraktues – jashta gjykatës, duke u thirrur në rrethanat objektive që pamundësuan përmbushjen e obligimeve tona kontraktuese si pasojë e dorëheqjes së Qeverisë me 19 korrik 2019. Nëse, kompania lobuese nuk pajtohet me arëyetimin tonë dhe këmbngulë në kërkesën e tyre financiare, kurse ne injorojmë kërkesat e tyre dhe shkojmë në zgjidhje gjyqësore atëherë mbeten dy mundësi: Në procedurë para Gjykatës Themelore në Prishtinë, procesi edhe mund të zgjatet me vite dhe bazuar në argumentet tona edhe mund t’a fitojmë rastin”.

Tutje aty thuhet se “nëse kompania lobuese insiston siç po kërcënohet nga shkresat e fundit që të na padis para Arbitrazhit Ndërkombëtar, atëherë bazuar në formulimin e dispozitave kontraktuese, rastin mund t’a humbim dhe të detyrohemi t’a paguajmë shumëfish më lartë obligimin e pretenduar prej tyre”.

Detaje nga kontrata

Më 17 qershor, pak para zgjedhjeve, Dhurata Hoxha në cilësinë e ministres së Integrimit Evropian nënshkroi një kontratë të dyshimtë “për konsulencë dhe planifikim strategjik” me firmën lobuese amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, të udhëhequr nga një biznesmen restorantesh në Nju Jork. Fjala është për Joe Allaham, i cili figuron si drejtor ekzekutiv i “Madison Global Strategies, LLC”.

Vlera e kësaj kontrate peshon 152 mijë e 232 euro, apo 171 mijë dollarë amerikanë.

Sipas kontratës, pagesa mujore që Ministria do t’i kryejë firmës “Madison Global Strategies, LLC” është 19 mijë dollarë apo 15 mijë e 146 euro në muaj.

Sipas obligimeve të marrëveshjes, thuhet se firma amerikane ka për detyrë të sigurojë takime me kongresmenë amerikanë dhe njerëz të Administratës Trump, për të ndihmuar në pozitën e Kosovës në çështjet e sigurisë.

“”[Organizimi, v.j] i takimeve me anëtarët e Kongresit dhe Administratës, për shembull për të avokuar pozitën e Kosovës në çështjet rajonale të sigurisë”, thuhet në përshkrimin e kontratës nga firma amerikane “Madison Global Strategies, LLC”, e publikuar pranë agjencisë së Departamentit Amerikan të Drejtësisë. 

LEXO EDHE:

http://buletiniekonomik.com/index.php/2020/03/02/kontrata-e-dyshimte-e-lobimit-me-biznesmenin-e-restoranteve-dhe-blogeren-e-gastronomise/