Shkon në tre numri i të prekurve me virus, i fundit familjar i 77-vjeçarit

Ka shkuar në tre numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë. Dy rastet e para janë konfirmuar dje.

Express merr vesh se rezultatet kanë dalë pozitive edhe për një familjar të 77-vjeçarit nga Vitia.

Pas pak minutash edhe Ministria e Shëndetësisë do të mbajë konferencë për media, rreth koronavirusit.

Reklama e sponzorizuar

Mbrëmë, Qeveria ka marrë vendim që t’i ndalojë hyrje-daljet në komunat Klinë dhe Viti, ku kanë banuar dy personat e infektuar.

Ndryshe, dje rreth orës 17 e 30 janë konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë të jashtëzakonshme.

Sipas ministrit Arben Vitia, bëhet fjalë për një vajzë të moshës 20-vjeçare, shtetase e Italisë, dhe një burrë të moshës 77-vjeçare nga Komuna e Vitisë.

Në konferencën ku u konfirmuan këto dy raste, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin, të qëndrojnë mbi 1 metër larg kur takohen dhe që t’i pastrojnë duart me ujë të ngrohtë mbi 30 sekonda.

‘Parandalimi është gjithcka. Le ta ruajmë veten dhe njëri-tjetrin që dy rastet e konfirmuara të mos shtohen. Të bëjmë kujdes maksimal që të mos iu bashkangjitemi vendeve të tjera që po raportojnë për mortalitet”, ka thënë Kurti në konferencë.