Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës janë shtyrë shkaku i gjendjes së krijuar me koronavirusin dhe data e mbajtjes së tyre do të përcaktohet me vonë, është vendosur të shtunën.
Vendimi i marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është bërë i ditur përmes një njoftimi të shpërndarë pasditen e së shtunës, raporton KOHA.
Në këtë njoftim shkruan se Thaçi ka marrë vendim për shtyrje, pas pranimit të rekomandimit nga Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
“Në mbështetje të nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, nr. 47, 25 janar 2009), nenit 4 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës (GZ, nr. 32, 15 qershor 2008), si dhe duke marrë parasysh kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 14 mars 2020, Presidenti i Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendim për shtyrjen e mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar në Komunën e Podujevës”, shkruan në njoftim.