Shumë kopshte të fëmijëve në Kosovë punojnë pa licencë

Dhjetëra kopshte të fëmijëve në Kosovë vazhdojnë të punojnë pa pasur licenca të punës, gjë që është e ndaluar sipas një udhëzimi administrativ të lëshuar nga Ministria e Arsimit. Zyrtarë të MASHT thonë se ligji i ri për fëmijërinë e hershme është duke u hartuar dhe do ta trajtojë çështjen e licencimit të kopshteve.

Aktualisht kjo çështje është e rregulluar me Ligjin mbi komunat, ku kopshtet për fëmijë fillimisht marrin leje pune nga komunat e më pas fillojnë veprimtarinë e tyre si biznese.

Një numër i madh i kopshteve private në Kosovë ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë ilegale. Udhëheqësja e Divizionit për Arsim parashkollor në Ministrinë e Arsimit, Labërie Luzha, tha për Radio Televizionin e Kosovës se me hartimin e ligjit të ri për edukimin në fëmijërinë e hershme, do ta trajtojë çështjen e kopshteve pa licencë.

Reklama e sponzorizuar

“Ligji i edukimit në fëmijërinë e hershme, i cili aktualisht po hartohet, do ta trajtojë këtë çështje pse kemi institucione parashkollore pa licencë. Kjo problematikë ka ndodhur për shkak të Ligjit mbi komunat, ku fillimisht ata marrin leje pune nga Drejtoria Komunale e Arsimit dhe hapen si biznese pastaj aplikojnë në Ministrinë e Arsimit për licencë për veprimtarinë e tyre edukative”, tha Luzha.

Po ashtu, Luzha, tha se deri në fund të këtij viti pritet të miratohet ligji i edukimit në fëmijërinë e hershme nga Kuvendi i Kosovës, ku parashihet që institucionet parashkollore se pari duhet të licencohen për veprimtarinë edukative që ushtrojnë e pastaj të marrin lejen e biznesit.

E drejtori i Inspektoratit në Ministrinë e Arsimit, Defrim Gashi, tha për Radio Televizionin e Kosovës se çdo ditë inspektorati bën identifikimin e këtyre kopshteve dhe vetëm në vitin 2019 rreth 30 kopshte të pa licencuara janë mbyllur.

“Numrin e kopshteve pa licencë nuk mund ta di askush, sepse se veprimtaria e tyre është ilegale. Roli i inspektoratit në ketë drejtim është se në aktivitet të përditshëm e kemi identifikimin e tyre. Vetëm në vitin 2019 ne kemi arrite të mbyllim dhe të procedojmë në gjykatë diku 30 kopshte private”, tha Gashi

Njëra ndër këto kopshte që ka ushtruar veprimtarinë e tij pa licencë, ku para disa ditësh u publikuan pamje ku një edukatore ushtroi dhunë ndaj një fëmije “Cambridge Kids” në Prishtinë ka ngjallur reagime të shumta. Për këtë rast psikologu Naim Telaku, vlerëson se qortimi i tepërt dhe dhuna në kopshte ndikon negativisht te fëmijët dhe është e papranueshme.

dhuna ushtrohet në kopsht, ku fëmijët shkojnë për një socializim më të mirë, të shëndetshëm dhe pozitiv, mendoj që është diçka shumë negative dhe e panevojshme të ndodhë në mjediset tona. Mandej edhe qortimi kur është i një intensiteti që nuk përkon me situatën, është i padobishëm dhe shumë i dëmshëm”, tha Telku.

Kosova ka mungesë të kopshteve publike dhe kjo po i detyron prindërit t’i dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte private, që në të shumtën e rasteve po dalin të jenë të palicencuar nga Ministria e Arsimit.