Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka siguruar mjete higjienike dhe respiratorë rezervë për t’u përballur në rast të përhapjes së koronavirusit në Kosovë.
Gjatë një vizite të Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, drejtori i ShSKUK, Basri Sejdiu i ka informuar ata për masat që ShSKUK-ja i ka marrë për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
“Kemi ndaluar vizitat nepër klinika. Kemi 9 respiratorë për mundësinë e intubimit të pacientëve për këto raste, por ne i kemi siguruar edhe 20 respiratorë tjerë. Klinika Infektive është mobilizuar; ka krijuar hyrje të veçantë dhe ka ndarë një repart të veçantë për këta pacientë. Po ashtu, kemi menduar se në rast se kemi rritje të numrit të pacientëve, do të mund të shfrytëzohet objekti i mjekësisë sportive dhe fiziatrisë. Kemi rritur furnizim me mjete higjienike, me dorëza dhe kemi bërë kërkesa për maska”, ka thënë Sejdiu, raporton Koha.
Ai ka shtuar se janë zhvilluar takime me drejtorë të spitaleve të qyteteve, të cilët kanë bërë përgatitje dhe kanë krijuar hapësira të izolimit dhe kanë infektologë.
Sejdiu po ashtu ka thënë se ShSKUK deri nesër ka kontratë për furnizim me oksigjen, por që ata kanë shkuar me kontratë të negociuar dhe nuk do të ketë problem me furnizim të oksigjenit. Ai ka vazhduar se janë kontaktuar disa infektologë të pensionuar, në rast se ka nevojë.
Sejdiu ka sqaruar rrethanat për trajtimin e pacientëve nga Shqipëria dhe ka thënë se kjo është veç një informatë e pasktë, pasi që në atë rast ishte folur për pacientët e hemodializës.