Të rinjtë nuk janë imunë ndaj koronavirusit dhe duhet të shmangin shoqërimin e komunikimin me të moshuarit, apo njerëzit më të ndjeshëm, ka paralajmëruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Zgjedhjet që bëhen nga të rinjtë janë “dallimi mes jetës dhe vdekjes së dikujt tjetër”, ka thënë drejtori gjeneral i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Më shumë se 11 mijë pacientë kanë vdekur në gjithë botën si pasojë e koronavirusit. Rreth 250 mijë kanë dalë pozitivë.
Paralajmërimet e shefit të OBSH-së vijnë pas raportimeve se të rinjtë në shumë vende të botës nuk po shfaqin kujdes ndaj virusit, për shkak se më shumë kanë vuajtur të moshuarit.
Shpërthimi i koronavirusit ka ndodhur në Kinë në dhjetor. Por tani qendra e pandemisë është Evropa. Në Itali, numri i të vdekurve ka kaluar katërmijëshin.
Në një konferencë online për media, në zyrat e OBSH-së në Gjenevë, Tedros ka thënë se “edhe pse të moshuarit janë më të goditurit, të rinjtë nuk kursehen”.
“Kam një mesazh për të rinjtë: S’jeni të pathyeshëm, ky virus mund t’ju detyrojë të shkoni në spital për javë të tëra apo edhe t’ju mbysë. Edhe nëse nuk sëmureni, zgjedhjet që ju bëni se ku dëshironi të shkoni mund të jetë dallimi mes jetës dhe vdekjes për dikë tjetër”, ka thënë ai.
Mosha mesatare e njerëzve që kanë vdekur në Itali, vendin me më së shumti vdekje, ka qenë 78.5. më pak se një për qind e pacientëve nën moshën 50 vjeçare kanë vdekur në Kinë, por fataliteti për më të moshuarit se 80-vjeç ka qenë rreth 15 për qind.