Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur para mediave pas takimit që ka pasur me dy emisarët evropianë që sot janë duke qëndruar në vend, raporton Gazeta Express.
I pari i shtetit ka thënë se sot nuk është diskutuar për çështjen e liberalizimit të vizave, dhe nuk ka pasur një premtim pozitiv për këtë temë.
“Sapo përfundova një takim me të dërguarit e kancelares Merkel, gjithashtu, edhe të dërguarin e presidentit Macron. Diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor, aktualitetin por edhe të perspektivës, dëshiroj të falënderoj presidentin Macron për interesin e tij të vazhdueshëm.
Në anën tjetër, dua të them se për fat të keq edhe sot nuk u dëgjua asgjë për liberalizimin e vizave madje sikur të mos e hapja si temë, as nuk do ta ngritin së diskutuari dhe kjo është jashtëzakonisht zhgënjyese kur prej para disa vitesh BE-ja ka qenë e gatshme për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ky qëndrim është i padrejtë në raport me Kosovën, sepse Kosova ka implementuar në tërësi të gjitha kriteret”, ka thënë ai, ndërsa ka përmendur kriteret që Kosova ka përmbushur.
“Ne e kryem edhe kushtëzimin e demarkacionit, duke e kaluar në parlament, përsëri është ky hezitim, duke mos e vënë fare në rend të ditës, mendoj se ky duhet të jetë një mesazh i zgjimit, nuk kemi të ardhme tjetër, por, edhe BE-ja duhet të thotë hapur dhe në mënyrë të sinqertë se pse nuk është nxjerrë vendimi.
Qëndrimi im ishte shumë i qartë, fillimisht BE-ja duhet të nxjerrë vendimin për viza, pastaj të mendojë a ka kapacitete për të shtyrë përpara dialogun, nga ajo që unë shoh BE-ja është plotësisht i papërgatitur për pjesën e dytë.
E theksuam edhe njëherë se BE-ja duhet ta respektojë Kosovën si vend i pavarur dhe asnjë rrethanë të përputhë mendimin dhe qëndrimin e vet, me pesë vendet që s’e kanë njohur Kosovën si të pavarur”, shton ai.
I pari i shtetit ka thënë se fillimisht, duhet të hiqen vizat që pastaj të vazhdohet me çështjet tjera. Ai thotë se sot nuk ka diskutuar me emisarët evropianë për taksën.
“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me këmbëngulësi me të madhe, sepse duke qenë të bashkuar mund të kemi suksese më të mira dhe mund ta rrisim përkrahjen, këshilla ime ishte që t’i takojnë të gjithë liderët politikë, sepse kemi liderë me legjitimitet, opozitë – pozitë. Dialogu i menduar në Bruksel është i tejkaluar, fillimisht vizat, pastaj hapen çështjet tjera.
Kanë qenë dy lloj takimesh, të menduara, i pari ka qenë takimi i përbashkët, dhe pastaj takimi në rrafshin bilateral me të dërguar special të presidentit Macron, ka pasur diçka krejt normale, janë çështje specifike mes Prishtinës dhe Parisit.
Ajo çështje nuk është diskutuar nga ana ime, mesazhi im ka qenë duhet të prodhojë argumente pozitive për partnerët dhe miqtë tanë është shumë me rëndësi që edhe ndërkombëtarët që vijnë në Kosovë të jenë të qartë, unë sot nuk pashë qartësi për asnjë çështje, nuk pashë ndonjë pozicion të qartë”, ka thënë ai.