Thaçi mirëpret thirrjen e QUINT-it, një herë kërkon të shpallet gjendja e jashtëzakonshme pastaj e fshin atë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas komunikatës së lëshuar nga vendet e QUINT-it lidhur me situatën e fundit të krijuar në Kosovë pas përhapjes së koronavirusit.

Përmes një cicërime në Twitter, presidenti Thaçi ka thënë se e mirëpret komunikatën e QUINT-it për respektimin e Kushtetutës, ligjeve dhe fokusimit në luftën kundër koronavirusit, por gjithashtu, ka bërë thirrje për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, e më pas, e ka ndryshuar cicërimën në Twitter.

“E mirëpres deklaratën e vendeve të QUINT-it që ndajnë të njëjtat kërkesa me ato të mijat për respektimin e Kushtetutës dhe Ligjeve, si dhe përqendrimin në luftën kundër koronavirusit, në vend që kjo të përdoret për betejat politike. Mirëqenia e qytetarëve tanë është thelbësore, kështu që ne duhet të shpallim Gjendjen e Jashtëzakonshme”, ka shkruar Thaçi në Twitter fillimisht.

Reklama e sponzorizuar
Image

Presidenti më herët me anë të një konference për media bëri të ditur se e ka dërguar në Kushtetuese vendimin për vendosjen e kufizimeve të lëvizjeve nga ana e qeverisë.

“E mirëpres deklaratën e vendeve të QUINT-it që ndajnë kërkesat me ato të mijat për respektimin e Kushtetutës dhe Ligjeve, si dhe përqendrimin në luftën kundër koronavirusit, në vend që kjo të përdoret për betejat politike. Mirëqenia e qytetarëve tanë është thelbësore për të gjithë ne”, ka ndryshuar cicërimën më pas Thaçi.

Shtetet e QUINT-it iu kanë bërë thirrje institucioneve dhe liderëve të Kosovës që prioritet në këtë periudhë t’i jepet betejës me koronavirusin, duke respektuar dispozitat e Kushtetutës dhe kompetencat që iu sigurohen atyre me të.