Thaçi paralajmëron Kurtin: Të takohemi sa nuk është marrë ndonjë vendim i papritur për Kosovën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur pas takimit që ka pasur me liderët e partive politike pas situatës së fundit të krijuar si pasojë e paralajmërimeve amerikane për tërheqjen e trupave nga Kosova.

Thaçi ka folur për mos pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në këtë takim, duke thënë se e ka anuluar pjesëmarrjen 5 minuta para fillimit të takimit, raporton Gazeta Express.

“Fatkeqësisht edhe pse kryeministri Kurti dhe kryetari i VV’së kishte konfirmuar pjesëmarrjen, 5 minuta para fillimit e ka anuluar. Por përsëri në shërbim të obligimeve kushtetuese e kombëtare, edhe dje e kam ftuar që të takohemi dhe të bisedojmë për zhvillimet e reja, që janë dramatike dhe shqetësuese për Kosovën. Ma tepër dramatike se çdo zhvillim”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media.

Reklama e sponzorizuar

Thaçi ka treguar se Kurti ka refuzuar për takim në tri oraret e sotme që ia kishte ofruar.

“Edhe sot përsëri kishte refuzim për të ardhur në takim, në tri mundësi. Do të ishte me interes që të gjithë të shpenzojmë energji. Kosova nuk është pronë e një individi. Kosova është pronë e qytetarëve të saj. Është përgjegjësi e cdo lideri. Ne duhet të punojmë dhe të shkojmë përpara me qëndrime unike. Qëndrimi unik është forcimi i shtetit brenda”, ka shtuar presidenti.

Tutje ai ka thënë se Kurti duhet të mos vonohet në marrjen e vendimeve në mënyrë që të mos e çojë Kosovën në drejtim të gabuar.

Sipas kreut të shtetit liria e Kosovës nuk ka kuptim pa SHBA’në.

“As vetë liria e as shteti, s’ka kuptim pa partneritetin pa SHBA’në. Jemi dëshmitar që alternativa e vetme është që të jemi pjesë e BE’së. Por jemi dëshmitar që të tjerët mund të na lënë në gjysmë të rrugës, ose të na ndëshkojnë pa liberalizim të vizave”, ka shtuar tutje.

Ndër të tjera Thaçi ka thënë se një takim me Kurtin duhet të ndodh sa nuk është marrë ndonjë vendim i papritur për Kosovën.

“Dua të shpresoj që kryeministri të gjej kohë për t’u takuar, e ka përgjegjësi, në mënyrë që të mos ndodh takimi ynë i pavlerë, në ndonjë vendimmarrje të papritur që mund të vjen për shtetin tonë dhe për qytetarët tonë”, është shprehur Thaçi.