Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën për media ku kumtoi refuzimin e ftesës nga ana e kryeministrit Albin Kurti, i ka çuar edhe disa mesazhe.
I është drejtuar Kurtit duke thënë se duhet të marrë vendime të cilat nuk i prishin raportet me SHBA-në.
“Ne duhet të shkojmë përpara me qëndrime unike dhe, ruajtja si sytë e ballit me partnerët perëndimor, në veçanti, me adresën e kontributit madhor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me SHBA-në. Prandaj, mesazhi im, është që kryeministri duhet të marrë vendime që janë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovë, orientimit euro-atlantik dhe të mos vonohet në vendimmarrje që e çojnë vendin në drejtim të gabuar historik”, tha Thaçi, raporton KOHA.
“Kosova është rast i veçantë, jam presidenti më pro-amerikan. SHBA-ja e di këtë”, u shpreh ai.
Sipas Thaçit, “ekzistenca e Kosovës nuk ka kuptim pa partnerin strategjik, Amerikës”.
“Jemi dëshmitarë që e vetmja alternativë është të jemi pjesë e BE-së, por duhet ta dijmë se edhe të tjerët mund të na lënë në gjysmë të rrugës, ashtu siç edhe na kanë lënë shpesh. Siç na kanë ndëshkuar me mosliberalizimin e vizave. E vetmja adresë, dhe i vetmi partner që na ka qëndruar afër në kohët më të rënda, është SHBA-ja”, u shpreh Thaçi.