Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka njoftuar se do të shtyjë të gjitha pagesat për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit deri më datë 30 prill 2020.
Sipas njoftimit, konsumatorët të cilët dëshirojnë të bëjnë pagesa për shërbimet, mund t’i bëjnë online, përmes bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare.
“KRU ‘Prishtina’ ka marrë masa në reduktimin e stafit në të gjitha departamentet, përveç aty ku duhet të ketë shërbim karshi konsumatorëve, me theks të veçantë departamenti i prodhimit të ujit dhe furnizimit 24 h me ujë të pijshëm dhe cilësorë. Prioritet në çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë i jep të gjitha qendrave spitalore, pa anashkaluar konsumatorët e tjerë të ndërmarrjes, por për shkak të rritjes së konsumit të ujit kërkohet shpenzim racional që të kemi rezerva të mjaftueshme ujore”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në gjendje gatishmërie do të jenë cisternat e ujit të pijshëm (autobot) dhe ato të ujërave të zeza.