Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se ka marrë vendim t’i pezullojë përkohësisht të gjitha linjat ajrore dhe tokësore nga Gjermania, Franca, Zvicra dhe Italia.
Ky vendim i ministrit Abdixhiku erdhi në vazhdën e vendimeve të mbrëmshme nga Qeveria e Kosovës, për masat e ndërmarra në luftën kundër koronavirusit.
Vendimi për ndalimin e qarkullimit ajror dhe tokësor me këto vende hyn në fuqi që nga dita e nesërme, pra më 13 mars në orën 15:00.
Ministria në fjalë ka shprehur keqardhje për qytetarët për këto masa, duke thënë se janë pa alternativa tjera, si dhe kanë lutur qytetarët që t’i reduktojnë lëvizjet me jashtë sepse masa të njëjta mund të merren edhe me vendet e tjera në ditët në vazhdim.
“Si vend e si shtet, me qetësi e pa panikë, do ta kalojmë edhe këtë sfidë”, përfundon komunikata e ministrit Abdixhiku. /Buletini Ekonomik/