Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli duke komentuar vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, që të japë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ka thënë se kjo ngjarje është e rëndësishme jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për Kosovën e mbarë rajonin, sepse që nga sot gjendemi një hap më afër BE-së.
Ai ka thënë se një lajm i mirë sapo ka ardhur për rajonin në këtë kohë të vështirë që po kalon Kosova dhe krejt bota.
“Këshilli i Ministrave të BE-së, sot, më në fund, vendosi që të japë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Urojmë përzemërsisht bashkëkombasit tanë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje është e rëndësishme jo vetëm për këto dy shtete, por edhe për Kosovën e mbarë rajonin, sepse që nga sot gjendemi një hap më afër BE-së. Shpresoj që ky përmirësim i qëndrimit të BE-së përkundrejt Ballkanit Perëndimor, që po demonstrohet nga ky vendim, të ketë si hap tjetër të natyrshëm edhe liberalizimin e shumëpritur të vizave për qytetarët e Kosovës”, thuhet në postimin e Veselit.