Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka listuar një sërë kritikash ndaj qeverisë së Albin Kurtit duke e quajtur këtë muaj si zhurmë dhe arrogancë për të arsyetuar mospunën.
“Në tridhjetë ditë të qeverisë Kurti, zhurma dhe arroganca janë bërë mjet për ta arsyetuar mospunën. Thuhen shumë fjalë vetëm për t’i ikur përgjegjësisë para qytetarëve. Por, qeveritë e politikanët maten me punë dhe jo fjalë”, shkruan Veseli.
Veseli thotë se gjatë qeverisjes Kurti, në ditët e para madje ndodhën dy çnjohje.
“Zvogëlohet numri i zëvendës ministrave, por, pakuptueshëm rritet numri i këshilltarëve politikë. Bëhen shkarkime pa procedura, ngarkohen me detyra publike familjarët dhe militantët. Në politikën e brendshme papërgjegjësi kurse në të jashtmen rrezikshmëri. Në vend që Kosovës t’i ofrohet siguri dhe forcim në marrëdhëniet ndërkombëtare po ndodh e kundërta. Kërcënim dhe dobësim të marrëdhënieve me SHBA-të. Nervozizëm në marrëdhëniet me Shqipërinë e shprehje e vullnetit të mirë me Serbinë. Një muaj qeverisje, dy çnjohje të pavarësisë së Kosovës. Kjo është pasqyra e këtij njëmujori qeverisës, zhurmë, rrezik dhe pasiguri. Kosova meriton më mirë”, përfundon Veseli.