Pas më shumë se dy muajsh, izolimi i Wuhanit – qytetit kinez ku është shfaqur koronavirusi për herë të parë – do të marrë fund më 8 prill, raporton media shtetërore e Kinës.
Pjesët e tjera të provincës Hubei, kryeqytet i së cilës është Wuhani, do t’i heqin ndalesat në udhëtim nga 25 marsi.
Rastet e para me koronavirus janë shfaqur në Wuhan, në fund të vitit të kaluar.
Që atëherë, ato janë shpërndarë në mbi 150 vende të botës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, pandemi.
Vendet e prekura kanë ndërmarrë masa të ashpra për të frenuar përhapjen e saj, duke mbyllur shkollat, bizneset jothelbësore dhe kufijtë.
Aktualisht, epiqendër e sëmundjes, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është Evropa.
Sëmundja ka prekur mbi 381,000 njerëz në gjithë botën, ndërsa mbi 16,500 kanë humbur jetën.
Kina, ditëve të fundit, ka raportuar për rënie të vazhdueshme të numrit të të infektuarve.