A ka teste të mjaftueshme në Kosovë për coronavirus, këto janë të dhënat e fundit

Ministria e Shëndetësisë ka bërë ditur për numrin e testeve për coronavirus që ka aktualisht Kosova dhe për numrin e testeve që pritet të arrijnë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka bërë të ditur për Telegrafin se para disa ditësh në Institutin kombëtar të Shëndetësisë Publike janë liferuar 2100 teste.

Reklama e sponzorizuar

Ai tha se javën që shkoi kanë arritur edhe 2000 të tjera, ndërsa 1000 teste të tjera janë marrë donacion nga Republika e Turqisë.

“Gjatë kësaj jave, operatori ekonomik nga kontrata e mëhershme pritet t’i sjellë edhe 2000 teste të tjera. Gjithashtu, nga partnerët ndërkombëtarë pritet që gjatë kësaj jave të merren edhe 2000-2500 të tjera”, tha ai.

Ndërkaq, sipas MSH-së, “fituesi i shpallur javën e kaluar, pasi ta nënshkruajë kontratën, pritet t’i sjellë edhe 10.000-13.000 të tjera, sipas nevojës, meqë kontrata është kontratë kornizë”.

Ndryshe, edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë sot të ditur se Ministria e Shëndetësia ka porositur rreth 13 mijë teste.

Osmani kështu bëri të ditur pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti lidhur me situatën rreth pandemisë COVID-19.

Sipas saj, në këtë takim ku ishte i pranishëm edhe ministri Arben Vitia, ka bërë të ditur se ka tashmë shteti i Katarit dhe Luksemburgut ka treguar gatishmëri për ta ndihmuar Kosovën në ballafaqimin me COVID-19.

“…Ka një ndihmë të dakorduar nga shteti i Luksemburgut dhe i Katarit që lidhet drejtpërdrejtë me teste dhe në ndërkohë që Qeveria e Kosovës ka porositur 13.500 teste tjera për të cilat kanë kaluar procedurat…”, tha ajo.