Bizneset mikro, të vogla dhe të mesme të drejtuara nga gratë do të përfitojnë nga fakti që Agjencioni për Financim në Kosovë (AFK) është institucioni i parë mikrofinanciar në vend që do t’i bashkohet programit të BERZH-it Gratë në Biznes.
Agjencioni për Financim në Kosovë (AFK) do të marrë një kredi prej 1 milion eurosh nga BERZH-i për kreditim të ndërmarrjeve lokale të drejtuara nga gratë. Projekti do të kontribuojë në përfshirjen ekonomike të grave në Kosovë duke mbështetur qasjen e NMVM-ve të të drejtuara nga gratë në financim dhe shërbime këshilluese të biznesit.
Programi Gratë në Biznes mbështet gratë ndërmarrëse për të siguruar qasje në financim dhe njohuri teknike për t’i rritur bizneset e tyre. Që nga lansimi i tij në vitin 2014, ky program i mbështetur nga disa shtete anëtare të BE-së, ka siguruar më shumë se 520 milion euro në linja krediti, duke iu shërbyer më shumë se 70,000 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme të drejtuara nga gratë në 18 vende, me qasje në financim, shërbime këshilluese, trajnime, udhëzime dhe aktivitete të rrjetëzimit.
Deri më sot, në Ballkanin Perëndimor, programi u ka shërbyer më shumë se 5,000 grave ndërmarrëse me financim dhe shërbime këshilluese.
AFK është institucioni i katërt më i madh mikrofinanciar në Kosovë. Themelimi i Agjencionit u financua nga kontributet e marra përmes Mercy Corps, një OJQ me qendër në SHBA. Në veprim prej tetorit 2000, AFK siguron qasje në financim për ndërmarrësit mikro dhe të vegjël, veçanërisht në zonat rurale. AFK ofron shërbime në tërë territorin e Kosovës përmes një rrjeti prej 23 degësh.
Që nga fillimi i operacioneve të veta në Kosovë në vitin 2012, BERZH-i ka investuar mbi 484 milionë euro në Kosovë përmes 72 projekteve. Mbështetja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat është një nga prioritetet kyçe të Bankës në Kosovë.