75 mijë euro është vlera totale e ndëshkimeve nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) për bizneset të ndryshme, për shkak të ngritjes së çmimeve gjatë periudhës së pandemisë me koronavirus.
Ndërsa nga 1 prilli janë pranuar 3 886 thirrje nga qytetarët në lidhje me këtë çështje. Lajmin e ka bërë me dije drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj.
Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe janë inspektuar 1 826 biznese. “Nga data 12 mars i gjithë fokusi ynë ka qenë i angazhuar në monitorimin e masës të cilën e ka paraparë qeveria, me qëllim të parandalimit të pandemisë koronavirus që ka të bëjë me çështjen e zvogëlimit të lëvizjes së qytetarëve, dhe ajo ndërlidhet edhe me çështjen e ngritjes së çmimeve në periudhën ku ditët e para u krijua një lloj paniku dhe frikë tek qytetarët dhe filluan kërkesat nëpër markete të ndryshme dhe në ato raste kemi vërejtur që disa biznese filluan edhe t’i ngritin çmimet”, ka thënë ai.
“Ne në ato ditë kemi bërë publike numrat kontaktues që qytetarët mund t’i bëjnë denoncimet në ATK dhe që nga data 12 mars deri më 1 prill, kemi pranuar gjithsej 3886 thirrje, të cilat kanë qenë të karakterit të për çështje tatimore dhe për ngritje të çmimeve”.
“Dhe nga ato denoncime, në 1 826 biznese kemi zhvilluar aktivitete dhe kemi bërë verifikimin, ku është konstatuar që të 270 raste kemi konstatim të shkeljeve, ku më pastaj janë deleguar te njësia për shqiptim të gjobave mandatarë, ku deri tani 224 ndëshkime në vlerë totale prej rreth 75 mijë euro”, ka thënë Murtezaj për EO.