Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, ka thënë se vendi i tij do t’i largojë edhe disa masa të kufizimit nga mesi i muajit të ardhshëm, kur do të hapen restorantet, shkollat, kafenetë dhe kishat.
Austria ka qenë në mesin e vendeve që ka reaguar më herët dhe i ka mbyllur restorantet, teatrot dhe dyqanet e produkteve joelementare para më shumë se një muaji. Njerëzit u këshilluan të qëndrojnë në shtëpi dhe të punojnë nga shtëpia, nëse kanë mundësi.
Sidoqoftë, ky shtet gjithashtu ishte një ndër të parët që e nisi lehtësimin e masave të izolimit, duke e lejuar rihapjen e qendrave të kopshtit dhe dyqaneve me më pak se 400 metra katrorë. Qendrat tregtare, dyqanet e mëdha dhe sallonet e floktarëve do të hapen nga 1 maji.
Dyqanet që janë hapur duhet ta respektojnë kufizimin për numrin e blerësve që futen njëkohësisht brenda dhe shitësit duhet të përdorin maska, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Siç është njoftuar më parë, shkollat e mesme do të hapen në fillim të majit për nxënësit që janë në vitin e fundit, ndërsa shkollat për nxënësit më të rinj do të hapen përmes një procesi me faza duke nisur nga 15 maji.