Banka franceze: Ekonomia në kolaps si pasojë e pandemisë së Covid-19

Banka Qendrore e Francës

Sipas një vlerësimi të publikuar sot nga Banka e Francës, Prodhimi i Brendshëm Bruto është ulur me rreth 6 për qind në tremujorin e parë të vitit 2020 si pasojë e epidemisë nga COVID-19 që ka goditur një pjesë të madhe të ekonomisë dhe e ka zhytur vendin në recesion.

Ky vlerësim korrespondon me performancën më të keqe tremujore të ekonomisë franceze që nga viti 1945.

PBB-ja ishte ulur tashmë me 0.1 për qind në tremujorin e katërt, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti kombëtar i Statistikave, pra Franca teknikisht është në recesion.

Reklama e sponzorizuar

Aktiviteti ka qenë dukshëm më i ulët me rreth një të tretën apo 32 për qind sesa normalja gjatë dy javëve të fundit të muajit mars, sipas vlerësimit të Bankës së Francës bazuar në një studim të realizuar në rreth 8,500 kompani. 

Me rënien më të madhe që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, ekonomia e Frances u tkurr për rreth 6 për qind gjatë çerekut të parë të këtij viti. Lajmin e bëri të ditur Banka e Francës dhe arsyeja e rënies është zvogëlimi i aktivitetit ekonomik për shkak të pandemisë.

Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar, ekonomia franceze ishte zvogëluar për vetëm 0.1 për qind. Pas dy tremujorëve me rënie, vendi tashmë është teknikisht në recesion ekonomik, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.

Banka Qendrore e Francës raportoi se aktiviteti ekonomik gjatë dy javëve të fundit të marsit ra për 32 për qind, në kohën kur u thellua kriza e koronavirusit.

“Duhet të kthehemi në çerekun e dytë të vitit 1968 për të gjetur rënie të ngjashme të aktivitetit ekonomik”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se edhe atëherë rënia ishte 5.3 për qind, më e vogël se këtë vit.

Franca ka vendosur masa të rrepta të izolimit që nga 17 marsi dhe ato do të mbesin në fuqi të paktën deri më 15 prill. Autoritetet kanë paralajmëruar se masat mund të zgjaten, nëse gjendja nuk përmirësohet.

Banka Qendrore e Francës njoftoi se sektorët më të prekur nga kriza e koronavirusit janë ndërtimtaria, transporti, restorantet dhe sektori i qirave.