Bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri, si ilaç anti-COVID për ekonominë

Shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia vitin e kaluar përbënin 46% të totalit të shtesave të huaj që vizituan vendin tonë, duke shpenzuar afërisht 1 miliard euro, ose gati 50% të të ardhurave nga eksporti i shërbimeve të udhëtimit. Frenimi i shpenzimeve të shqiptarëve jashtë vendit, që vitin e kaluar ishin 1,5 miliardë euro, do të mund të ndihmonin në këtë vit të vështirë sektorin e turizmit. Hotelet po bëhen gati për të ulur çmimet, në mënyrë të organizuar, të paktën me 20%. Bizneset bëjnë thirrje për një riorganizim kombëtar në sektorët e turizmit, tregtisë dhe prodhimit.

Situatat e jashtëzakonshme të krijuara nga luftërat e vërteta, apo nga një pandemi si kjo që po kalojmë, bëhen shkak për gjetjen e zgjidhjeve dhe aleancave që në kohë normale, nuk funksionojnë.

Reklama e sponzorizuar

Kufizimi i lëvizjeve të njerëzve dhe burimeve të kapitalit, të paktën për këtë vit do të na detyrojë të gjejmë zgjidhje të brendshme, ndërshtetërore apo kombëtare. Shqipëria ka më shumë shanse, pasi i është vetmi vend në rajon dhe më gjerë që kufizohet me popullsi shqiptare.

Në Kosovë, jetojnë 1,8 milionë shqiptarë, në Maqedoni jetojnë 510 mijë, në Malin e Zi mbi 30 mijë, sipas të dhënave nga Censet e vitit 2011. Trevat shqiptare jashtë kufijve përbëjnë një treg me 2 milionë konsumatorë, të cilët bashkë me 500 mijë emigrantët që jetojnë në Greqi dhe kthehen çdo vit për pushime në Shqipëri, mund të jenë këtë vit një burim potencial për turizmin dhe konsumin në tërësi. Nga ana tjetër, shqiptarët që jetojnë brenda kufijve zyrtarë, për shkak të kufizimeve në lëvizje, udhëtimet që më parë i bënin jashtë vendit do t’i zhvendosin nëpër malet dhe detet tona.

Vitin e kaluar, deficiti midis shpenzimeve që shqiptarët bënë jashtë vendit dhe shpenzimeve të të huajve në vendin tonë ishte 500 milionë euro. Të huajt shpenzuan në Shqipëri pak më shumë se 2 miliardë euro, ndërsa shqiptarët, në udhëtimet e tyre, nxorën jashtë vendit 1,5 miliardë euro. Me llogari hipotetike, nëse të paktën 1 miliard euro nuk do të mund të ikin jashtë nga udhëtimet e shqiptarëve, dhe të paktën 500 milionë euro do të futen nga pushimet në plazhet tona të pushuesve nga trevat shqiptare do mund të rikuperohej një pjesë e konsiderueshme e humbjes nga turistët e huaj.

Nëse patriotizmi ekonomik nis të funksionojë, së paku sektori i turizmit, që është goditur aq shumë nga pandemia, nuk është aq i pashpresë, sa parashikimet fillestare tregojnë.

Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë, tha se bizneset e sektorit janë duke e marrë në konsideratë këtë mundësi. Sipas tij, anketa nga Shoqata e Udhëtimeve të SHBA-së dhe MMGY Global tregon se udhëtarët ndihen më pak të sigurt në fluturimet ndërkombëtare tani. Anketa ka treguar se 60% do të preferojnë të udhëtojnë me mjete personale, ndërsa 40% të tjera kanë pohuar se do të kalojën kohën e pushimeve nëpër parqe.

Topuzi thotë se Shqipëria mund të përfitojë nga kjo situatë, pasi 80% e turistëve hyjnë në vendin tonë në rrugë tokësore. Ai tha se Shoqata Shqiptare Turizmit, ATA, në bashkëpunim me grupet e tjera të interesit, po punon për të paraqitur disa oferta që do të kenë kosto rreth 20% më të lira. Po sipas tij, e gjithë strategjia e veprimit do të varet nga kohëzgjatja e situatës së bllokimit të kufijve rajonalë.

Ilir Ali, zv.ministër i Financave dhe Transfertave në Qeverinë e Kosovës tha se, qeveria e zotit Kurti është shumë e interesuar të forcojë bashkëpunimin reciprok në fushën e turizmit. Por ai bëri thirrje që në rrethanat e reja, më shumë se sa të shërbimet, duhet të riorientohemi te prodhimi në të dyja vendet.

“Një bashkëpunim të tillë, për të njehsuar tregjet dhe për të nxitur konsumin patriotik, ne e kemi nxitur edhe para se të nisë kriza e pandemisë”, tha Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë. Sipas tij, patriotizmi ekonomik është domosdoshmëri.

Qeveria, nëpërmjet lehtësimit fiskal, duhet të nxisë hotelet shqiptare që bëjnë oferta të lira për pushuesit e Kosovës. Punët duhet të bashkërendohen në nivel qeveritar dhe trojet shqiptare në këtë situatë të jenë jo vetëm në ndihmë të turizmit, por edhe të konsumit. Dihet se Shqipëria dhe Kosova kanë ekonomi komplementare, kështu që disa prodhime bujqësore mund të shiten në tregjet tona të brendshme, duke i hequr tërësisht kufijtë, barrierat burokratike dhe ato tarifore, tha Jaka.

Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Berat Rukiqi tha se, se në këtë situatë, duhet të kujdesemi që në këtë kohë, mallrat dhe shërbimet të lëvizin lirisht dhe pa barriera. Gjithashtu duhet të këmbejmë përvojat në menaxhimin e krizës shëndetësore dhe sidomos të koordinohemi në fazën pas krizës në menaxhimin e krizës ekonomike.

Turizmi patriotik, gjenerator të ardhurash

Vitin e kaluar, 2,246,540 shtetas nga Kosova hynë në Shqipëri. Ata përbënin 35% të totalit të shtetasve të huaj që vizituan vendin tonë dhe shpenzuan afërisht rreth 730 milionë euro. Gjithashtu nga trojet shqiptare të Maqedonisë e vizituan Shqipërinë, kryesisht për qëllime turizmi, 753 mijë persona, të cilët zunë 22.7% të totalit të vizitorëve të huaj. Ky grup vizitorësh shpenzoi rreth 245 milionë euro në Shqipëri.

Shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia përbënin rreth 46% të totalit të vizitorëve të huaj, me prurje që përllogariten rreth 1 miliard euro. Ky potencial mund të nxitet më tej, thotë Nikolin Jaka. Duke qenë se shqiptarët e trojeve do ta kenë të vështirë të lëviznin në destinacione të tjera, për shkak të kufizimeve, një numër më i madh i tyre mund të pushojnë në Shqipëri këtë verë. Plazhi dhe rëra, ndër të tjera, janë shumë kurativë për infeksionet respiratore.

Përveçse të përforcohet kërkesa turistike nga viset shqiptare jashtë kufijve zyrtare, një burim të ardhurash për hotelerinë shqiptare janë edhe shqiptarët që tradicionalisht pushojnë dhe udhëtojnë për turizëm jashtë vendit. Shpenzimet e shqiptarëve në udhëtimet e tyre jashtë arritën vitin e kaluar në 1,5 miliardë euro, me një rritje të fortë prej gati 11% në raport me vitin 2018.

Tre vitet e fundit, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë janë rritur mesatarisht me 11% në vit, të nxitura edhe nga ofertat më të lira të udhëtimit me avion. Por kufizimet për shkak të pandemisë besohet se do të mbajnë brenda Shqipërisë një burim të madh financimi që mund të ndihmojë turizmin shqiptarë nga falimenti masiv.

Ditët e fundit, një thirrje “Pusho dhe konsumo në vendin tënd” gjeti përhapje të gjerë në rrjetet sociale në të gjithë botën. Kriza po nxit patriotizmin e detyruar, në mungesë të alternativave të tjera. Nisur nga kjo perspektivë, qarkullimi brenda vendit i 1.5 miliardë eurove që shqiptarët shpenzojnë jashtë dhe rreth 1 miliard euro që shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë shpenzojnë në Shqipëri, është një burim i konsiderueshëm për sektorin turizmit.

Kriza ekonomike që ka shkaktuar pandemia COVID nuk do të mbajë në të njëjtat nivele shpenzimet për turizëm këtë vit, por gjithsesi frenimi i shpenzimeve jashtë nga vendasit dhe stimulimi me oferta për pushuesit nga Kosova është një mundësi për të shmangur kolapsin e hoteleve.

Nëse turizmi në vendin tonë është në fillesat e një industrie, kontributi shkon për shqiptarët e Kosovës, të cilët në shenjë mirënjohje për mikpritjen gjatë luftës zbarkuan masivisht në plazhet shqiptare, gjatë dy dekadave të fundit. Me paratë që ata harxhuan në Shqipëri, u ndërtuan komplekset turistike në plazhet e Durrësit, Velipojës dhe Shëngjinit. Ata hapën rrugën për investime të mëdha në strukturat hoteliere, të afta për të pritur edhe turistë perëndimorë ashtu edhe siç ndodhi vitet e fundit.

Hotelet shqiptare po unifikohen për të ulur çmimet me 20%

Njësitë hoteliere i janë vënë punës për të organizuar ofertën e re turistike të verës, ndonëse paqartësi të mëdha për zgjatjen e krizës janë ende në sfond. Zak Topuzi, kryetar i Shoqatës Hoteliere në vendin tonë, thotë se trendet e udhëtimeve pas krizës duket se i shkojnë përshtat Shqipërisë.

Sondazhi më i fundit i Travel Intentions Pulse Survey (TIPS), në lidhje me pasojat e COVID-19, i kryer nga Shoqata e Udhëtimeve të SHBA-së dhe MMGY Global, tregon se udhëtarët ndihen më pak të sigurt në fluturimet ndërkombëtare tani. Anketa gjeti se fluturimet ajrore dhe lundrimi me anije ishin më pak të preferuara për udhëtimet e këtij viti.

Vetëm 10-12% e anketuarve pohuan së dëshironin të udhëtonin me avion këtë verë. Nga studimi, pika më e fortë, rezulton që 60% e të anketuarve preferojnë të udhëtojnë me mjetet e tyre personale, ndërsa 40% tjetër thanë se ndihen të sigurt në parqe. Gjetjet e anketës sugjeruan se udhëtimet në rrugë tokësore me automjete private do të jenë më të frekuentuarat menjëherë pas krizës. Nga opsionet njëditore të udhëtimeve, shtëpitë ishin më të preferuarat me 25% dhe hotelet me 20%.

Zoti Topuzi tha se Shqipëria mund të përfitojë nga kjo situatë, duke pasur parasysh që 80% e turistëve hyjnë në rrugë tokësore. Pika e dytë e fortë janë kategoritë e turistëve që vizitojnë vendin tonë; rreth 55% vijnë në rrugë tokësore, si nga Kosova 35%, Maqedonia e Veriut 11% dhe Greqia 9%.

Topuzi tha se, Shoqata Shqiptare e Turizmit ATA, në bashkëpunim me grupet e tjera të interesit, po punojnë për të paraqitur disa oferta që do të kenë kosto rreth 20% më të lirë. Por, sipas tij, e gjithë strategjia do të varet nga kohëzgjatja e situatës së bllokimit të kufijve rajonalë.

Përparësitë e tregut të përbashkët

Për shkak të bazës së ulët, rritja ekonomike si në Shqipëri dhe Kosovë është më e larta në rajon, por të ardhurat për frymë janë në nivelet më të ulëta në rajon. Dy shtetet kanë strukturë të ngjashme të ekonomisë. Bujqësia zë 10% të strukturës së PBB-së në Kosovë dhe në Shqipëri mbi 23%. Sektori i industrisë zë më shumë se 10% të PBB-së së Kosovës, ndërsa në Shqipëri 11%.

Sektori i tregtisë zë 12% në Kosovë dhe po kaq zë edhe në PBB-në e Shqipërisë. Edhe sektorët e tjerë kanë peshë të ngjashme. Përpos shumë ngjashmërive në strukturën ekonomike, mentaliteti është i njëjtë në të dy anët e kufirit dhe këto elemente janë të mjaftueshme për të krijuar një treg të përbashkët unik.

Kosova ka sipërfaqe 11 mijë kilometër katrorë dhe popullsi 2 milionë banorë, Shqipëria ka sipërfaqe 28 mijë kilometër katrorë dhe 2.8 milionë banorë.

Nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë, taksat dhe politikat ekonomike, tregu i përbashkët do të kishte rreth 5 milionë konsumatorë, në një territor prej 39 mijë kilometrash katrorë. Në këtë mënyrë, shqiptarët do të krijonin bashkësinë më të madhe në rajon pas Serbisë.

Duke pasur ende forcën e punës në kulmin e produktivitetit, Kosova dhe Shqipëria, në një treg unik, do të ishin një ofertë joshëse për kompanitë e huaja, si në aspektin e tregtar, ashtu dhe në prodhimin e manifakturës. Dëshira e hershme e bizneseve për një treg unik, në fakt nuk është bërë pjesë e axhendave të përbashkëta të qeverive, edhe pse spektakli në këtë drejtim nuk ka munguar. Por tani, kur bota është përfshirë në një cikël të gjatë krize, shtete të vogla si Shqipëria dhe Kosova, do të duhen të bashkohen në tregje, më shumë si nevojë emergjente për mbijetesë, se sa për dëshirë patriotike. /Monitor.al/