Banka Botërore ka parashikuar se ekonomia do të pësojë një tkurrje në vitin 2020 edhe nëse masat parandaluese hiqen gjatë tremujorit të dytë të vitit.
Për Kosovën, raporti projekton që – në mënyrë të ngjashme me vendet e tjera të rajonit – ekonomia do të pësojë një tkurrje në vitin 2020**, edhe nëse masat parandaluese hiqen gjatë tremujorit të dytë të vitit. Përveç mbylljes së përkohshme të aktiviteteve kyçe ekonomike dhe humbjes së të hyrave të lidhura, në Kosovë ndikimi i pandemisë do të shoqërohet kryesisht me uljen e eksporteve të nxitura nga diaspora, të remitancave informale, si dhe të Investimeve të Huaja Direkte në ndërtimin e banesave; por ekonomia pritet të rimëkëmbet në vitin 2021. Sidoqoftë, nëse pandemia vazhdon përtej tremujorit të dytë të vitit 2020, ndikimi i COVID-19 do të jetë më i ashpër në anën e furnizimit të ekonomisë, duke çuar në humbje afatgjata në vende të punës dhe prodhim.
Banka Botërore është duke finalizuar një program aktivitetesh për të ndihmuar Kosovën për menaxhimin dhe zbutjen e ndikimit të krizës, përfshirë një projekt të ri me aprovim të shpejtë për t’iu përgjigjur prioriteteve urgjente të sektorit shëndetësor dhe për të mbrojtur të hyrat e amvisërive; një ristrukturim të projekteve të aprovuara tashmë për të mobilizuar fonde në mbështetje të ndërrmarjeve të vogla dhe të mesme; dhe së fundi një operacion kredie të politikave për zhvillim për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike dhe për të ndihmuar në financimin e buxhetit. Së bashku, këto programe ka të ngjarë të tejkalojnë 120 milionë euro.