Liderët evropianë do të zhvillojnë një video-samit më 23 prill, për të diskutuar përgjigjjen e përbashkët financiare ndaj recesionit ekonomik që po afrohet si pasojë e koronavirusit të ri.
Ata pritet t’i kërkojnë Komisionit Evropian, që të propozojë një Fond të Rimëkëmbjes, i cili do të shënjestrojë sektorët dhe rajonet më të prekura nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi.
“Unë propozoj që t’i kërkojmë Komisionit të analizojë nevojat e sakta, dhe të prezantojë një dokument që bashkon të gjitha sfidat me të cilat po përballemi”, ka thënë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Bazuar në disa propozime, shuma e Fondit në fjalë mund të shkojë nga 1 deri në disa trilionë euro.
Megjithatë ende nuk është bërë e qartë se si do të mbushet ky Fond, në formë të kredive apo granteve.