BE-ja do të ketë nevojë për investime masive publike dhe private

Buxheti i ri afatgjatë i Bashkimit Europian do të duhet të jetë një përgjigje “e fortë” ndaj krizës së koronavirusit, tha Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“Shpesh kam thënë në të kaluarën se Europës i duhet një Plan i ri Marshall,” tha ajo, duke iu referuar paketës stimuluese shumë miliardë dollarëshe amerikane për të rindërtuar Europën pas Luftës së Dytë Botërore.

“Ne do të kemi nevojë për investime masive publike dhe private për të ringjallur ekonominë, për ta rindërtuar atë dhe për të krijuar vende të reja pune”.

Reklama e sponzorizuar

“Çelësi për këtë është një buxhet i ri i fortë i BE-së. Buxheti ka përparësinë që gëzon besimin e të gjitha vendeve anëtare”, shtoi ajo.

“Ky buxhet i ri shtatë vjeçar duhet të dallohet nga ai i mëparshmi. Do të jetë ndryshe. Do të jetë përgjigjja europiane ndaj krizës së koronavirusit”.

Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel tha se Evropa po përballet me një krizë të madhe “të pashembullt”.

Ai tha se drejtuesit e bllokut do të duhet të përqëndrohen në “nevojën – domosdoshmërisht – për të zhvilluar një strategji masive investimesh” për të rindërtuar sapo të kalojë kriza e koronavirusi./CNN