Me mbi 300 persona të vdekur të dielën e Pashkëve në Belgjikë numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi në këtë shtet ka mbërritur afër 4000, më saktësisht deri tash kanë vdekur 3903 persona.
Pasi bëhet fjalë për një shtet me pak më shumë se 10 milionë banorë, pra gjashtë herë më të vogël se Italia, Belgjika tashmë e ka tejkaluar Italinë për nga pasojat e koronavirusit llogaritur për kokë banori.
Në Belgjikë janë shënuar 336,8 vdekje në 1 milion banorë ndërsa në Itali kjo është 329,1 të vdekur për 1 milion banorë.
Belgjika ka edhe numrin e përgjithshëm të të infektuarve në nivel më të madh sesa në Itali. Në Belgjikë janë konfirmuar më shumë se 30 mijë raste, që në një milion banorë janë shënuar 2639 raste ndërsa në Itali janë shënuar 2586 raste, transmeton KOHA.
Për momentin vetëm Spanja ka nivelin e vdekshmërisë nga koronavirusi më të madh sesa Belgjika, ndonëse në Spanjë numri i të infektuarve të ri dhe të vdekurve brenda një dite është në rënie.
Kryesuesi i shtabit nacional të krizës, profesori Steven Van Gucht, ka thënë se numri i të vdekurve në Belgjik është i madh dhe për fat të keq ai do të rritet tutje.
Prandaj ka bërë ftesë që qytetarët të kuptojnë seriozisht masat dhe të kenë kujdes. Duke parashikuar se kjo betejë do të zgjasë edhe disa muaj.
Ai ka thënë se, “duhet të mësohemi të bashkëjetojmë për një kohë me virusin, t’i zbusim masat dhe të kemi një kohabitacion me virusin në mënyrë të kontrolluar”.
Problem serioz në Belgjikë është numri tejet i madh i të vdekurve në shtëpitë e pleqve në Belgjikë. Nga afër 4000 të vdekur 43 % e tyre kanë vdekur në shtëpit e kujdesit për të moshuarit.
Vetëm të dielën e Pashkëve, nga 309 të vdekur, 195 prej tyre kanë vdekur nëpër shtëpitë e përkujdesit për të moshuarit.
Kur nga Italia vinin pamjet shqetësuese nga spitalet dhe shifrat e frikshme për të vdekurit, shumë shtetet bënin përgatitje për të evituar skenarin italian.
Belgjika, ndonëse me kohë i ka bërë përgatitjet, dhe ka rritur kapacitetet nëpër spitale, nuk ka pasur mundësi të evitojë këtë tragjedi. Por pa këto masa numri i viktimave në Belgjikë ka mundur të jetë edhe më i madh.
Për momentin në Belgjikë ende pohojnë se ka kapacitete të mjaftueshme edhe të shtretërve edhe të stafit mjekësor nëpër spitale.
Situata e ngjashme me Belgjikën është edhe në tri vendet fqinje: Holandën, Francën dhe Britaninë e Madhe, ndërsa situata dukshëm më pak dramatike është në Gjermani ku numri i atyre që kanë humbur jetën si pasojë e koronavirusit është shumë më i vogël.
Në Belgjikë, nëse krahasohen rastet e konfirmuara të infektimit dhe numri i atyre që kanë vdekur, vdekshmëria nga virusi është 13 për qind, që është shumë shqetësuese.