Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se gjendja bankare në vend vazhdon të jetë stabile në këtë kohë pandemie.
Ai në një konferencë për media të mbajtur sot, ka dhënë statistika që sipas tij dëshmojnë për stabilitetin bankar.
“Bankat kane likuiditet të mjaftueshëm dhe nuk do të ketë problem me furnizim të parave të gatshme. Po ashtu, Banka Qendrore ka marrë masa për dezinfetkim të rregullt të të gjitha parave të gatshme, si masë mbrojtëse duke e ditur qarkullimin e madh ditor të tyre. Por këshillojmë qytetarët që sa më shumë të evitojnë paratë e gatshme, t’i kryejnë pagesat përmes kartelave ose online”, ka thënë Mehmeti.
Sipas tij, edhe pse kohë krize, ka rritje të raportit të likuiditet në sektorin bankar. Aktualisht është 35.3 për qind, ndërkohë më 16 mars kur nisën të merren masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, ishte 35 për qind.
“Pra kemi rritje të likuiditetit. Nuk ka nevojë për shqetësim, bankat janë likuide edhe në këtë kohë krize. Depozitat nga 16 marsi janë rritur për tre milionë euro”, ka thënë Mehmeti.
Ai ka thënë se shpenzimet publike pritet t’i bëjnë më së shumti ballë gjendjes së krijuar ekonomike dhe të zbusin efektet e krizës. Po ashtu efektin e sak pritet të jap edhe pakoja emergjente e ndarë nga Qeveria në vlerë 179 milionë euro.
Ka folur edhe për kreditë dhe mundësitë e krijuara që ato të pezullohen deri më 30 prill për ata që janë të afektuar nga kriza. Mirëpo, guvernatori i BQK-së ka sqaruar se interesi i akumuluar gjatë muajve që është shtyrë kësti duhet të paguhet, por do të shpërndahet përgjatë afatit të kredisë.
Mehmeti ka folur edhe për trendin e ekonomisë botërore dhe asaj në Kosovë. Koronavirusi, sipas tij, padyshim që pritet të luajë efektin negativ. Rol të madh në ekonominë e Koosvës pritet të luajë edhe zvogëlimi i remitencave.
“Parashikimet makro-ekonomike, ekonomia në nivel global dhe në Kosovë do te ketë rënie. Ekonomia e Kosovës do te ndërpresë ekspansionin në rritje, prej 3.6 mesatarisht, në minus 2 deri në minus 4 për qind, por duhet t’i merrni me rezervë këto parashikime, pasi është vetëm fillimi”, ka thënë guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti.