Zëvendës-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Sokol Havolli, ka thënë në “Express intervistën” në KTV, se dëmet në ekonominë e Kosovës, sikur edhe në çdo vend tjetër të prekur nga pandemia, do të jenë të mëdha ri rezultat i masave të marra për ndalimin e përhapjes së koronavirusit.
Ai ka thënë se projeksionet e BQK-së ishin që ekonomia e vendit të shënojë rritje prej 4 për qind në vitin 2020, por tash, pas situatës së krijuar me pandeminë, ajo do të jetë negative, nga 2 deri 4 për qind.
“Në këtë vlerësim janë përfshirë edhe zhvillimet e jashtme që do të ndikojnë. Kemi parasysh masat restriktive për udhëtime, do të kemi më pak vizitorë, do të ketë më pak shpenzime të turistëve”, ka thënë Havolli.
Ai tregon se BQK-ja ka reaguar herët me marrjen e masave për të lehtësuar likuiditetin e bizneseve. Po ashtu, vlerëson se vendim i mirë është edhe ai për pezullimin e kredive në afat prej tre muajsh për bizneset dhe qytetarët e prekur nga pandemia. Ai precizoi atë që po shqetëson qytetarët dhe bizneset, e për çka ka folur më herët edhe ministri i Financave, Besnik Bislimi.
Havolli shtoi se kamatën e rregullt, qytetarët dhe bizneset duhet ta paguajnë për muajt e shtyrjes së kredive, por ndryshe nga vendimi fillestar kur bankave u ishte lënë në diskrecion të vendosin për mënyrën e grumbullimit të interesit, tash BQK-ja ka udhëzuar që ai të shpërndahet në disa muaj, e jo në muajin e parë pas rinisjes për shlyerjen e kredive.
Havolli thotë se çdokund të botë veprohet njësoj.
“Fillimisht kemi marrë vendimin për pezullimin e kredive për tre muaj, me mundësi që në fund të prillit të bëhet një rishikim. Ky pezullim do të jetë vetëm për bizneset apo individët që janë ndikuar nga mbyllja e aktiviteteve ekonomike. Po ashtu në regjistrin e kredive, kemi kërkuar nga bankat që të mos raportohet dhe të mos prishet historiku i kredimarrësve në këtë kohë. Në këtë drejtim jemi mjaftë të kënaqur.
Po ashtu, kemi kërkuar që interesi i periudhës së shtyrë të mos ngarkohet në muajin e parë, por të shpërndahet në disa muaj. Kjo është çështje standardeve të raportimit ndërkombëtar, s’mund të dalim nga rregullat. Nuk kemi pa që një vend e fal komplet interesin. Paguhet kamata e rregullt për çka palët janë dakorduar. Të gjitha vendet e botës e kanë aplikuar modelin e njëjtë, sikur edhe ne”, ka thënë ai.
Havolli foli edhe për politikat që ka hartuar BQK-ja dhe po harton për periudhën post-pandemike. Por tha se janë edhe disa segmente që duhet të rishikohen që sektori financiar bankar të jetë përkrahës në zhvillimin ekonomik.
“I kemi të strukturuara një varg politikash që do të sigurojnë kreditim më të lartë, me qëllim që të krijohen mundësitë. Në periudhën e pas pandemisë, do të jetë sektori financiar ai që do të nxitë rritjen e ekonomisë, gjenerimin e investimeve të reja dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës”, ka shtuar Havolli.
Zv.guvernatori i BQK-së, ka folur edhe për turizmin e remitencat dhe arsyet pse do të bien ato.
“Janë disa segmente të identifikuara, e para është mbyllja e aktivitetit ekonomik, e dyta do të jenë kanalet e jashtme, do të ketë eksporte shumë me pak, vizita shumë më pak, remitencat pritet të bien në krahasim me vitin e kaluar. E kemi shembullin e vitit 2008, sigurisht tash kjo dallon. Kjo varet sa do të jenë të goditura ekonomitë e Zvicrës, Gjermanisë, tashmë Italisë dihet. Po i përmendi këto vende pasi diaspora e Kosovës është e koncentruar në këtë vende”, ka thënë Havolli.