Çfarë po bën OBSH-ja në kohën e koronavirusit

Para plot 72 vjetësh është themeluar Organizata Botërore e Shëndetësisë. Si shihet roli i saj deri më sot, në kohën e virusit korona?

Si shihet puna e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)?

Në mendjen e njerëzve kthehet roli i OBSH-së në veçanti në kohërat e sëmundjeve të rënda, epidemive dhe pandemive, si për shembull në vitin 2009 me rastin e përhapjes së gripit të derrave, 2014 dhe 2019, për shkak të Ebolës dhe tani kur bota po përballet me pandeminë e rëndë të virusit korona. Por detyrat dhe fushëveprimi i OBSH-së është shumë më i gjerë. Qëllimi është që në mbarë botën të ofrohet një shërbim sa më i mirë shëndetësor dhe që në veçanti në kohërat e krizave dhe katastrofave të ofrohet një ndihmë sa më e shpejtë dhe e mirë. OBSH-ja mbikëqyr zhvillimet në shëndetësi në mbarë botën, gjendjen me ushqimin dhe kushtet sanitare. OBSH-ja ka 194 vende anëtare dhe mbështet hulumtimet në shëndetësi, përcaktimin e normave dhe standardeve në këtë fushë.

Reklama e sponzorizuar

Themelimi i OBSH

Ideja e autoriteteve shëndetësore është paraqitur me rastin e themelimit të Kombeve të Bashkuara, pak pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me 1945. Ato e kishin të qartë se mbajtja e paqes dhe sigurisë në botë nuk është e mundur pa mirëmbajtjen e shëndetit dhe pa zgjidhjen e problemeve të mëdha të asaj kohe në këtë fushë. Kushtetuta e OBSH-së është miratuar dhe nënshkruar në vitin 1946 nga 61 vende të ndryshme në New York, shkruan DW. Me 7 prill 1948, pra në ditën që sot konsiderohet si dita e themelimi të OBSH, është futur në fuqi. Selia e OBSH gjendet në Gjenevë të Zvicrës, e ajo ka rreth 150 zyra rajonale në botë. OBSH pohon se ajo ka rreth 7000 bashkëpunëtorë.

Financimi

Buxheti i OBSH për periudhën 2020-2021 ka rreth 4.8 miliardë dollarë amerikanë, pra rreth 4.2 miliardë Euro. Rreth një e pesta e buxhetit sigurohet nga kontributet e 194 vendeve anëtare. Por nuk paguajnë të gjitha vendet shumën e njëjtë. Pagesat varen nga fuqia ekonomike e vendeve anëtare.

Pjesa më e madhe e sasisë tjetër të buxhetit varet nga kontributet vullnetare të vendeve anëtare si dhe donacionet e fondacioneve, institucioneve të OKB, por edhe personave privat. Kjo pjesë e financimit është rritur në mënyrë permanente në dekadat e fundit, e njëkohësisht janë shtuar edhe kritikat për mungesë pavarësie të OBSH. Shoqata Gjermane për Kombet e Bashkuara (DGVN) pohon për shembull se në periudhën 2010 -2011 kanë qenë ndër vendet me pagesat më të mëdha (me mbi 60 % të buxhetit): SHBA, Japonia dhe Gjermania. Ndërsa në vitet 2012-2013 paguesi më i madh ka qenë Bill & Melinda Gates Foundation, pra para SHBA dhe vendeve të tjera.

Roli i OBSH-së në krizën korona

Në luftën për parandalimin dhe zvogëlimin e pasojave të virusit korona, OBSH ka një rol qendror. Tek infektimet me viruset e sëmundjeve si AIDS, Malaria apo COVID-19, OBSH koordinon aktivitetet ndërkombëtare, ndër to edhe bashkëpunimin për hulumtimet në fushën e virusit korona, për teste, medikamente dhe vaksina. OBSH ka iniciuar edhe një studim klinik për testimin e medikamenteve ekzistuese në luftën kundër Covid-19. Ajo është edhe pjesë e programeve të tjera në luftën kundër virusit, ku ndahen edhe sasi të konsiderueshme parash. Ekspertët e saj kanë bërë edhe programe emergjente për veprime të caktuara, si për shembull, masat e karantinës, ndalimi i udhëtimeve etj. Sugjerimet e OBSH-së nuk janë obliguese, por respektohen në të shumtën e rasteve. OBSH-ja e ka shpallur virusin korona si pandemi në fillim të marsit, që do të thotë se përmasat e rrezikut dhe përhapjes së saj janë përmasa botërore. Drejtori i përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se vet shpallja e pandemisë nuk paraqet ndonjë ndryshim esencial në punën e OBSH dhe vendeve anëtare.

Si shihet roli i OBSH-së në kohën e virusit korona?

OBSH është lavdëruar kohët e fundit për shkak të përhapjes së njohurive për rrezikun dhe veprimit në kohën e krizës së virusit korona. Në kohën e krizës së pandemisë me gripin e derrit (2009) apo Ebola (2014 dhe 2015) ka pasur kritika ndaj punës së OBSH. Kjo ka bërë që OBSH të ndërrojë punën e saj në kohën e krizave. Suksesi i tanishëm global lidhet edhe me emrin e shefit të ri të OBSH Tedros, i cili nuk heziton fare që të paraqitet në opinion. Por Tedros është kritikuar për lëvdatat e tij ndaj Kinës, në rastin e luftimit të pandemisë atje, sepse Kina fillimisht ka heshtur për krizën në Wuhan e pastaj vendosi masa shumë rigoroze atje.