Ekspertët dalin kundër teorisë së Trumpit për injektim me dezinfektues kundër koronavirusit

Paraqitjet e presidentit Donald Trump në konferencat për pandeminë e koronavirusit kanë arritur pikun të premten, me një zbulim të ri të tijin se si duhet asgjësuar virusin vdekjeprurës.

Shefi i Shtëpisë së Bardhi ngjalli reagimin e gjithë komunitetit të shëndetësisë, kur tha se dezinfektuesit duhet t’u injektohen në trup personave të infektuar. Pos kësaj, ai këshilloi pacientët që t’u ekspozoheshin rrezeve ultraviolete për trajtim ndaj koronavirusit. Por një numër i madh ekspertësh shëndetësorë i hodhën menjëherë poshtë teoritë e Trumpit.

Paul Hunter, profesor në Universitetin e Anglias në Britani të Madhe, ka deklaruar se zbulimi i Trumpit është një prej gjërave më të rrezikshme dhe të marra që ka dëgjuar ndonjëherë.

Reklama e sponzorizuar

Ai ka thënë se injektimi i dezinfektuesve shkakton vdekje të menjëhershme, ndërsa i ka bërë thirrje presidentit që të tërhiqet nga qëndrimet dhe betejën me koronavirusin t’ua lërë në duar ekspertëve shëndetësorë.

Sipas Hunterit dhe ekspertëve tjerë, dezinfektuesit janë substanca shumë të rrezikshme dhe mund të jenë helmuese.

Ata pretenduan se edhe ekspozimi i jashtëm mund të jetë i dëmshëm për lëkurën, sytë dhe sistemin e frymëmarrjes.

Për ta fuqizuar pretendimin e Trumpit, një zyrtar i prezantoi rezultatet e një hulumtimi të qeverisë amerikane, në të cilat thuhet se virusi dobësohej shpejt, pasi u ekspozohej diellit dhe nxehtësisë.

Në këtë hulumtim bëhej e ditur po ashtu se zbardhuesi e vret edhe më shpejt virusin. Mirëpo, sipas ekspertëve shëndetësorë, dezinfektuesi vret virusin vetëm në sipërfaqe dhe është shumë i dëmshëm nëse arrin deri te mushkëritë. “Mos e përfillni këshillën e Trumpit”, kërkuan ata.