Ministrat europianë të Financave përpiqen të arrijnë një marrëveshje mbi koronavirusin. Edhe një herë, Eurozona grindet mbi borxhin
Është “e pamundur të jesh më optimist se António Costa”, tha dikur presidenti i Portugalisë, për kryeministrin gazmor. Megjithatë, më 26 mars, z. Costa nuk dukej aspak optimist. Pasi udhëheqësit e BE-së mbajtën një video-konferencë të tensionuar mbi krizën e Covid-19, ai doli para kamerave me një fytyrë të vrenjtur dhe deklaroi: “Nëse nuk e respektojmë njëri-tjetrin… askush nuk ka kuptuar asgjë për BE-në”. Komentet e ministrit holandez të Financave, Wopke Hoekstra, mbi shpenzimet e tepërta të europianojugorëve ishin “të neveritshme” dhe “të këqija”. Gjërat nuk kanë ndryshuar për mirë që atëherë, shkruan The Economist.
Disa analistë parashikojnë një rënie prej gati 10% të PBB-së së Eurozonës këtë vit. Megjithëse vendet e pasura si Gjermania kanë ndërmarrë masa të mëdha brenda vendit, ka munguar solidariteti. U vendosën kontrollet kufitare dhe u ruajtën pajisjet mjekësore. BE-ja të paktën ka lehtësuar kufizimet fiskale dhe të ndihmës shtetërore, për t’u dhënë vendeve të prekura hapësirë për t’u përgjigjur ndaj krizës.
Dhe më 18 mars, me rritjen e rendimentit të obligacioneve në Itali dhe Spanjë, Banka Qendrore Europiane njoftoi planin për blerjen e aseteve me vlerë 750 miliardë euro (810 miliardë dollarë) dhe i zbuti rregullat e blerjes. Christine Lagarde, presidentja e bankës, tha se nuk kishte “kufij” në angazhimin e saj.
Kjo mjaftonte për të qetësuar tregjet. Ashtu si paraardhësi i saj Mario Draghi, parimi i të cilit “çfarëdo që të jetë e nevojshme” e mbajti euron të bashkuar në vitin 2012, zonja Lagarde dëshiron që qeveritë të bëjnë më tepër. Në mënyrë të veçantë, ajo i bëri thirrje Eurozonës që të marrë në konsideratë lëshimin e një “koronabondi” të garantuar bashkërisht. Nëntë qeveri, të udhëhequra nga Franca, Italia dhe Spanja, kanë bërë një propozim të ngjashëm.
Megjithatë, eurozona mbetet e ndarë në disa aspekte kyçe. Pas një seance të gjatë që zgjati gjithë natën nga 7 deri më 8 prill, ku ministrat e Financave nuk arritën dot një marrëveshje, italianët dhe holandezët u grindën mbi ndarjet e borxhit dhe çështje të tjera. Megjithatë mund të miratohet një grup më i vogël masash. Ato përfshijnë zgjerimin e huave të sektorit privat të Bankës Europiane të Investimeve, mbështetjen financiare të BE-së për skemat e subvencioneve të pagave kombëtare, dhe ndoshta linja krediti nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit (ESM), për t’u përdorur si fondi i shpëtimit të Eurozonës. Por, këto nuk janë “asgjë”, thotë Mujtaba Rahman nga konsulenca e Eurasia Group.
Grindja mes veriorëve dorështrënguar si gjermanët, holandezët dhe austriakët, dhe jugorëve kërkues, të kujton krizën e euros në vitet 2010-2012. Megjithatë, ka edhe ndryshime të dukshme. Gjatë krizës së euros, BQE-ja vonoi deri në vitin 2012 për të reaguar me vendosmëri; kësaj here zonja Lagarde reagoi shpejt (pas një gabimi më herët), duke siguruar që qeverive të mos u duhej të luftonin tregun dhe të përballeshin me barrën e kujdesit shëndetësor në të njëjtën kohë.
Për më tepër, shumica e propozimeve koronabond parashikojnë financime të menjëhershme për të paguar për qëllime specifike si kapaciteti shëndetësor ose subvencionet për paga, më tepër sesa një angazhim i vazhdueshëm apo ndarjen e borxhit të vjetër. “Nuk mund të fitohet dot debati duke përdorur të njëjtat argumente të vjetruara mbi eurobondet, sepse kjo është një tronditje që i preku të gjithë dhe nuk ishte faji i askujt”, thotë Lucas Guttenberg nga Qendra Jacques Delors në Berlin.
Një ndryshim më shqetësues është ai politik. Në Itali, e cila ka një borxh 2.5 trilionë euro, skepticizmi ndaj BE-së ishte rritur edhe para krizës së koronavirusit – në krye të kësaj lëvizjeje është Matteo Salvini, një ish-zëvendëskryeministër që drejton partinë e djathë Liga e Veriut. Në fillim të prillit, një sondazh zbuloi se 53% e italianëve ishin të gatshëm të braktisnin euron ose BE-në. Kjo e ka detyruar Giuseppe Conte, kryeministrin e paanshëm, të tregohet më i ashpër, duke e përshkruar ESM-në si “krejt e papërshtatshme”.
Duke kujtuar shtrëngimin e madh të kreditorëve të huaj në reparte të Eurozonës si Greqia, shumë italianë kanë frikë se kreditë e mëdha do të sjellin kushte të pamundura – edhe pse Gjermania ka premtuar lëshime. Kreditë gjithashtu mblidhen në bilancet kombëtare. Ndërkohë që qeveria italiane po negocionte në 7 prill, z. Salvini u shfaq në televizion për të denoncuar “peshkaqenët e huasë” në Berlin dhe Bruksel.
Kryeministri socialist i Spanjës, Pedro Sánchez, është më pak armiqësor ndaj ESM-së se z. Konte. Por ai gjithashtu e ka braktisur zakonin e heshtjes së Spanjës në Eurozonë, duke paralajmëruar se përjashtimi i koronabondeve do të rrezikonte besueshmërinë e BE-së. Gjatë krizës së euros, kur bankat e Spanjës duhej të shpëtoheshin nga ESM-ja, spanjollët e dinin se po paguanin çmimin e papërgjegjshmërisë së tyre, duke fryrë një flluskë prone. Këtë herë ata thjesht janë goditur nga fati i keq. Refuzimi do të nxisë ndjenjën euroskeptike që partitë populiste në të majtë dhe të djathtët do ta shfrytëzonin me kënaqësi.
As Italia dhe as Spanja nuk ndodhen buzë greminës. Por dobësia e pozicioneve të tyre fiskale – raportet e borxhit ndaj PBB-së, përkatësisht 136% dhe 97% në vitin e kaluar – po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Përgjigjet e tyre ndaj Covid-19 kanë qenë më të ngathëta se të Gjermanisë (shiko grafikun), pavarësisht dëmtimit që ka shkaktuar në këto vende.
Për më tepër, borxhi në rritje mund të pengojë aftësinë e tyre për të paguar për rimëkëmbjen. BQE-ja nuk është ilaçi i gjithçkaje: blerja e bonove të saj mund të kufizohet në njëfarë mënyre në maj, kur Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë do të vendosë mbi ligjshmërinë e programit të saj lehtësues sasior; dhe gjithsesi nuk mund të zgjasë përgjithmonë. “Herët a vonë, tregjet do të vënë në pikëpyetje borxhet e Italisë”, thotë Nicola Nobile në konsulencën e Ekonomisë në Oksford.
jo kërkon një “linjë të dytë mbrojtëse”, thotë Grégory Claeys nga Bruegel, një grup studimi. Megjithatë, Gjermania vazhdon të përjashtojë koronabondet dhe holandezët janë treguar edhe më të patundur (megjithëse z. Hoekstra kërkoi falje për tonin e tij).
Argumentet e vjetra të skeptikëve mbi rreziqet morale dhe rreziqet e huazimit të përbashkët pa një mbikëqyrje të përqendruar, janë plotësuar me argumente të reja: një koronabond do të zgjaste shumë kohë për t’u miratuar, dhe institucione si ESM-ja dhe BQE-ja e bëjnë pjesërisht një punë të tillë. Dhe ashtu si homologët e tyre jugorë, qeveritë veriore duhet të përballen në vendin e tyre me parlamentarë të patundur dhe populistë problematikë.
Janë hedhur propozime të panumërta që synojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet. Po diskutohet mbi mundësinë për të shndërruar buxhetin e vogël shtatëvjeçar të BE-së në një “Plan Marshall” të ri. Holandezët kanë propozuar një fond të vogël që do të shpërndante ndihma pa kushte. Ndoshta plani më mbresëlënës është ai i ministrit francez të Financave, Bruno Le Maire, i cili propozon krijimin e një fondi të përkohshëm shpëtimi pas krizës, që do të lëshonte bono të përbashkëta me vlerë disa miliarda euro dhe që mund të shlyhej nga një “taksë solidariteti europian”. Z. Le Maire e shmang me kujdes fjalën “koronabond”, ndërsa i bën jehonë paralajmërimeve apokaliptike të z. Sánchez për rreziqet e dështimit. Por, deri tani, Gjermania ende nuk është e bindur.
Edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e ka cilësuar krizën e koronavirusit si provën më të madhe me të cilën është përballur ndonjëherë BE-ja. Megjithatë, diagnoza e qeverisë së saj për problemin bie krejt në kundërshtim me pjesën tjetër të Eurozonës. Debati nuk ka mbaruar, por optimizmi si ai i z. Costa, është venitur tashmë. “Çfarëdo marrëveshjeje që të arrijnë, nuk ka gjasa të përmbushë shkallën e nevojave”, thotë z. Rahman. “Diçka mund të thyhet”.
Ministrat e financave të BE bien dakord për një paketë financiare prej 500 miliardë euro
Ministrat e financave të Bashkimit Europian kanë rënë dakord në 10 prill për një plan të përbashkët emergjentë për të kufizuar ndikimin e koronavirusit në ekonominë europiane. Vendet anëtare të BE-së kanë rënë dakord për një paketë financiare prej 500 miliardë eurosh. “Marrëveshje e shkëlqyeshme midis ministrave të financave të BE për përgjigjen ekonomike ndaj koronavirusit”, ka deklaruar ministri francez i financave Bruno Le Maire.
“500 miliardë euro do të vihen në dispozicion menjëherë. Një paketë stimuluese do të vijë. Europa po qëndron në këmbë për të përballuar me seriozitet situatën e krijuar. Kjo është një ditë e rëndësishme për Europën”, shtoi Le Maire shtoi. “Ne do t’i paraqesim një plan ambicioz Këshillit Evropian”, tha ministri i Financave të Italisë, Roberto Gualtieri. “Ne do të luftojmë për ta bërë atë realitet”.
“Pas bisedave të gjata dhe intensive, Eurogrupi erdhi në një përfundim të mirë sot. Ne kemi bërë marrëveshje të arsyeshme së bashku për Europën dhe Hollandën që të përballen me koronakrizën”, tha ministri Hollandez i Financave Wopke Hoekstra. Sidoqoftë, jo të gjitha palët ranë dakord për “korona-bondin” ose ” euro -bono”,një borxh i përbashkët lëshuar vendeve anëtare të BE-së. Një kundërshtare është edhe Hollanda.
“Ne jemi dhe do të qëndrojmë kundër Eurobonove. Ne mendojmë se ky koncept nuk do të ndihmojë as Europën apo Hollandën në një afat të gjatë,” tha Hoekstra.