FMN-ja paralajmëron krizën më të madhe ekonomike që nga depresioni i të ‘30-ave

Pandemia e koronavirusit do të kthejë rritjen ekonomike në botë në terma negativë sivjet, ka paralajmëruar kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Drejtoresha Menaxhuese, Kristalina Georgieva ka thënë se bota përballet me krizën më të rëndë ekonomike që nga Depresioni i Madh i të ‘30-ave. Ajo ka parashikuar se 2021-a mund të ketë një rikuperim të pjesshëm.

Izolimi i urdhëruar nga qeveritë ka detyruar shumë kompani të ndalin aktivitetet e të reduktojnë stafin.

Reklama e sponzorizuar

Më herët gjatë javës, një studim i Kombeve të Bashkuara ka thënë se 81 për qind e forcës punëtore në botë të 3.3 miliardë njerëzve ka mbetur pa punë plotësisht apo vendet e tyre të punës janë mbyllur përkohësisht shkaku i pandemisë.

Georgieva bëri deklarimin e saj para takimit të FMN-së dhe Bankës Botërore, të paraparë për javën e ardhshme. Tregjet në rritje dhe vendet në zhvillim do të goditen më së shumti, ka thënë ajo, duke kërkuar qindra miliarda dollarë ndihmë.

“Vetëm tre muaj më herët, ne kemi pritur rritje pozitive për kokë banori në më shumë se 160 prej shteteve anëtare më 2020”, ka thënë ajo. “Sot, numri është përmbysur: tani projektojmë se më shumë se 170 shtete do të përjetojnë rritje negative për kokë banori sivjet”.

“Në fakt, ne presim krizën më të madhe ekonomike që nga Depresioni i Madh”, ka deklaruar tutje ajo, raporton BBC, transmeton Koha.

Georgieva ka thënë se nëse pandemia lehtësohet në gjysmën e dytë të 2020-s, FMN-ja pret një rikuperim të pjesshëm në vitin e ardhshëm. Por ajo ka paralajmëruar se situata edhe mund të përkeqësohet.

“Theksoj se ka pasiguri të madhe për të ardhmen. Mund të jetë edhe më keq varësisht nga shumë faktorë, përfshirë edhe zgjatjen e pandemisë”, ka thënë ajo.

Më herët gjatë javës, Organizata Ndërkombëtare e Punës, një agjenci e Kombeve të Bashkuara, ka paralajmëruar se pandemia paralajmëron “krizën më të rëndë” që nga Lufta e Dytë Botërore.

Muajin e shkuar, Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim ka paralajmëruar se ekonomisë botërore do t’i duhen vjet për t’u rikuperuar.

FMN-ja paralajmëron krizën më të madhe ekonomike që nga depresioni i të ‘30-ave