Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se do të ofrojë shërbim të menjëhershëm të huave për 25 shtetet anëtare më të varfra në mnëyrë që të kenë më shumë mjete financiare për luftën kundër koronavirusit.
Drejtoresha e FMN-së, Kristalina Georgivea, tha se bordi ekzekutiv i organizatës që ajo e drejton e ka miratuar grupin e parë të shteteve që do të marrin grante për mbulimin e obligimeve të borxhit ndaj FMN-së për gjashtë muajt e ardhshëm.
Këtu përfshihen Afganistani, Taxhikistani, Jemeni i goditur nga lufta dhe disa shtete të zhytura në borxhe në Afrikë dhe Azi, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.
Fondi për Menaxhimin e Katastrofave i FMN-së tash për tash i ka rreth 500 milionë dollarë në dispozicion, përfshirë zotimet e Britanisë për dhurimin e 185 milionë dollarëve dhe zotimin e Japonisë për dhurimin e 100 milionë dollarëve. Premtime për kontribute në këtë fond kanë dhënë edhe Kina, Holanda dhe disa vende të tjera.
Megjithatë, zyrtarët e kësaj organizate po bëjnë përpjekje që në fondin e veçantë t’i sigurojnë 1.4 miliard dollarë.