Përkundër parashikimeve ogurzi për sektorin turistik në vitin 2020, autoritetet greke shpresojnë që kur të lehtësohen kufizimet e udhëtimeve nëpër Europë, Greqia, e cila është vlerësuar gjerësisht për trajtimin e suksesshëm të pandemisë së koronavirusit, do të bëhet destinacioni kryesor për turistët.
Ministri Grek i Zhvillimit dhe Investimeve Adonis Georgiadis ka deklaruar se operatorët kryesorë të tureve po konsiderojnë Greqinë si destinacionin kryesor për ti sugjeruar të gjithë atyre që dëshirojnë të pushojnë këtë verë në Mesdhe.
“Ka operatorë kryesorë turistikë që kanë deklaruar se ata duan të sjellin turistët në Greqi në vend të një vendi tjetër për shkak të menaxhimit të suksesshëm që është bërë në sektorin tonë të kujdesit shëndetësor (gjatë krizës së koronavirusit)”, deklaroi Georgiadis.
Nëse Greqia ruan imazhin e saj pozitiv dhe reputacionin për sigurinë, vendi mund të pretendojë të ketë më shumë turizëm, sesa pritej këtë vit, dhe madje edhe në vitin 2021.
“Prandaj, parashikimi i FMN-së që turizmi do të jetë në zero këtë vit, me një ndikim shumë negativ në PBB, ka shumë të ngjarë të mos ndodhë,” shtoi Georgiadis.
“Unë nuk po them se do të kemi një vit rekord për turizmin – padyshim jo,” nënvizoi ai, ndërsa shtoi se “emri i mirë” i Greqisë do të ketë një ndikim në ekonomi në planin afatmesëm.