Prodhuesi i njohur holandez i birrës, Heineken, njoftoi të mërkurën se fitimi gjatë çerekut të parë të këtij viti i ka rënë për 68.5 për qind për shkak të ndikimit të pandemisë.
Fitimi i kësaj kompanie në këtë tremujor ishte vetëm 94 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishte fituar 299 milionë euro, që do të thotë se tash fitoi 205 milionë euro më pak.
Shefi ekzekutiv i Heineken-it, Jean-François van Boxmeer, tha se masat për parandalimin e koronavirusit janë duke pasur ndikim të konsiderueshëm në aktivitetin tregtar të kompanisë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
“Kemi marrë masa të nevojshme për ta zvogëluar koston, për të siguruar financim shtesë dhe për t’u përshtatur ndaj ndryshimeve të mëdha”, thuhet në deklaratën e tij.
Megjithatë, kompania u zotua se deri në fund të këtij viti nuk do t’i largojë punëtorët nga puna si pasojë e Covid-19. Sidoqoftë, bordi ekzekutiv është pajtuar që t’i ulë pagat e veta për 20 për qind nga maji deri në dhjetor.