I moshuari nga Ferizaj që vdiq nga koronavirusi ka punuar në kampin “Bondsteel”

Një 65-vjeçar nga fshati Sazli i komunës së Ferizajt, ka vdekur gjatë ditës së hënë në QKUK, ndërkohë rezultati i analizës për Covid-19 ka dal sot dhe është pozitiv.

Në Spitalin Rajonal të Ferizajt kanë thënë se janë vetizoluar stafi të cilët kanë pasur kontakt me pacientin një ditë më parë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike e ka konfirmuar rastin dhe tash në total numri i të vdekurve në Kosovë shkon në katër. 

Reklama e sponzorizuar

I moshuari nga fshati Sazli i komunës së Ferizajt i cili ka ndërruar jetë gjatë ditës së hënë në QKUK, e që ndërkohë ka rezultuar se ishte i infektuar nga virusi COVID 19, prej kohësh ishte duke punuar si vozitës në kampin “Bondsteel”, mëson KOHA.

Deri në fund të javës së kaluar tashmë i ndjeri (I.SH) kishte qenë i rregullt në vendin e punës. Ndërkohë familjarët e të ndjerit tashmë janë duke i pritur institucionet e shëndetësisë për t’i bërë testet tjera për anëtarët dhe të afërmit që ka mundur të ketë kontakte.

Musa Kongjeli, vëllai i të ndjerit, njëherësh gjyqtarë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ka thënë se familja ka përfunduar edhe ceremoninë e varrimit sipas rekomandimeve të nivelit qendror.

“Vëllai ka pasur probleme me zemër dhe me frymëmarrje. Pas vdekjes instituti i ka marrë disa mostra dhe ka rezultuar pozitiv me koronavirus, mirëpo ai nuk ka pasur shenja të gripit. Vëllai ka punuar si vozitës në kampin “Bondsteel” gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Deri dy ditë para vdekjes ai ka punuar vazhdimisht. Varrimi tashmë është kryer, ndërkohë ia kemi dërguar listën institutit si familjar dhe po presim të vijë për analiza tona pasi ka mundur të kemi kontakte me të ndjerin”, ka thënë Kongjeli.

Sipas tij, vëllai gjatë periudhës së pandemisë nuk ka qenë jashtë shtetit të Kosovës.