Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka përsëritur apelin drejtuar qytetarëve që të mos dalin nga shtëpitë, në kohën kur vendi po përballet me koronavirusin.
Në një shkrim të radhës në Facebook, IKSHPK ka përsëritur se me mosdëgjimin e rekomandimeve për izolim, qytetarët po rrezikojnë veten dhe familjet.
Të hënën në Kosovë u shënuan edhe dy vdekje si pasojë e virusit. Numri i vdekjeve ka shkuar në tre, përderisa 145 është numri i të infektuarve.
IKSHPK në apelin e vet ka thënë se qytetarët po rrezikojnë me shkaktimin e shpërthimit epidemik me daljet e tyre në Prishtinë, Brezovicë e Prevallë.
“Virusi nuk ka këmbë! Mos ia jepni këmbët ju! Ju lutemi!”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.
Ky është apeli i IKSHPK-së:
“Qytetarë!
Ju lutemi t’i përmbaheni rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe mos dilni në grumbuj gjatë orëve të lira të lëvizjes sepse jeni duke rrezikuar veten dhe familjet e Juaja!
Sot edhe dy raste fatale me COVID-19!
Ngushëllime Familjeve! Ruani të moshuarit!
Në Evropë kanë vdekur më shumë se 50.000 njerëz!
Në Prishtinë, po vërehen dalje masive në orët e lira të lëvizjes.
Grumbuj të njerëzve që po rrezikojnë veten dhe të gjithëve!
Ju lutem kini kujdes se mund të shkaktoni shpërthim epidemik në kryeqytet!
Në Brezovicë e Prevallë janë mbledhur grumbuj të njerëzve!
Kjo është e rrezikshme!
Virusi nuk ka këmbë! Mos ia jepni këmbët ju! Ju lutemi!
Shikoni ju lutem valën epidemike në shtetet e Evropës, veni gishtin në kokë dhe mendoni. Mos pengoni ekipet e Institutit me pyetje të cilat i keni mësuar tashmë nga rekomandimet e Instituti Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Na ndihmoni ta kryejmë punën sublime dhe mundohuni të zbatoni secili detyrën e juaj duke ruajtur shëndetin tuaj. Ju kemi lënë të pushoni dhe jo secili të marr detyrën e epidemiologut duke pyetur detaje, duke u munduar të rikonstruktojnë çdo vatër infeksioni, duke u zhytur në kureshtjen e njohjes së çdo procedure të hulumtimit.
Pushoni dhe vetëm pushoni që të na lini të punojmë!
Ju gjendeni në shtëpitë e juaja me familjarë. Ne akoma gjendemi në punë pa orar nga 15-20 orë! Për ju! E ju për ne:
JU LUTEMI QËNDRONI NË SHTËPI!”