Instituti i Mediave të Kosovës e ka konsideruar të padrejtë vendimin e Qeverisë për ndarjen e mjeteve nga Pakoja Emergjente Fiskale.
Kryetari i Bordit të Institutit të Medies, Fazli Veliu në konferencën për media tha se është e padrejtë që mediet të mos përfshihen në këtë pako.
“Udhëheqësit e këtyre institucioneve që shkojnë në punë i kërkojnë mediet dhe kur kemi nevojë ne për ta ata neve nuk na përkrahin, sepse kriza që po shkakton Covid-19 ka prekur edhe mediet, dhe kjo është për keqardhje”, ka thënë Veliu.
Ai ka thënë se nëse Qeveria nuk i përkrah mediet atëherë rrezikohet mbyllja e 50 radiove dhe TV regjionale.
Ai ka kërkuar nga Qeveria që t’i mbështet t’i përkrah gazetarët me nga 300 euro për 3 muaj si dhe pronarët e medieve me nga 400 euro.
“Ftojmë qeverinë që të mbështet mediet private në Kosovë me fonde të veçanta në mënyrë që mos të kemi mbylljen e medieve. Mediet në Kosovë mbijetojnë nga marketingu dhe shumë kompani tashmë kanë ndërprerë kontratat dhe më së shumti janë të prekura mediet lokale.
Nëse Qeveria nuk mbështet mediet atëherë ekziston rreziku që të mbyllen 50 radio dhe TV regjionale dhe të mbesin pa punë afro 400 punëtorë. Kërkojmë nga Qeveria që t’i përkrah gazetarët me nga 300 euro për 3 muaj, mars, prill dhe maj si dhe pronarët e medieve me nga 400 euro”, tha Veliu.
Anëtar i Bordit të institutit të medies Nexhmendin Spahiu ka thënë se mediet duhet të lirohen nga taksa vjetore për sivjet.
Ndërkaq Agron Krasniqi nënkryetar i bordit të Institutit të medies tha se kjo nuk do ta ngarkonte shumë buxhetin e Kosovës.
“Nuk është shumë e madhe që do të ngarkonte buxhetin e Kosovës sepse po bëhet fjalë për 400 punëtorë. Ne jemi të interesuar të mbrojtja e medieve sepse janë jashtë fokusit të Qeverisë”, tha Krasniqi.