Një miliard njerëz mund të infektohen me koronavirusin në botë nëse vendeve që mund të preken lehtë nuk u jepet ndihmë urgjente, ka paralajmëruar një organizatë humanitare.
“Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit” (IRC) ka thënë se ndihma financiare dhe humanitare është e nevojshme për të ngadalësuar shpërndarjen e koronavirusit në botë.
Kjo organizatë ka thënë se vendet “e brishta”, si Afganistani e Siria, kanë nevojë të domosdoshme për “fond urgjent” për të shmangur shpërthimin e madh.
“Ka një hapësirë të vogël kohore për të dhënë përgjigje të fortë”, ka paralajmëruar IRC-ja.
Sipas të dhënave të fundit nga Universiteti Johns Hopkins, deri tash në botë janë konfirmuar më shumë se tre milionë raste me Covid-19 e më shumë se 200 mijë njerëz kanë vdekur.
Raporti i IRC-së, që bazohet në të dhënat dhe modelet e Organizatat Botërore të Shëndetësisë dhe “Imperial College” në Londër, thotë se mund të jenë 500 milionë deri në një miliard persona të infektuar në botë.
Po ashtu është parashikuar se numri i të vdekurve mund të arrijë në më shumë se tre milionë nëse virusi shpërndahet në vendet jostabile dhe të prekura nga luftërat.
“Këta numra duhet të shërbejnë si thirrje për zgjim nga gjumi”, ka thënë kreu i IRC-së, David Miliband. “Efekti i plotë e shkatërrues i kësaj pandemie akoma nuk është ndier në vendet e brishta dhe ato në luftë”, ka shtuar ai. “Çelësi tash është që donatorët të nisin me fondet urgjente për të mundësuar përballimin e pandemisë. Qeveritë duhet të bashkëpunojnë për të hequr çdo pengesë të ndihmës humanitare”.
Grupi me bazë në SHBA, që lufton krizat humanitare nëpër botë, ka thënë se faktorët si dendësia e popullatës, kapaciteti i institucioneve shëndetësore dhe konfliktet mund të rrisin rrezikun e shpërthimeve të mëdha.
Shumë vende në zhvillim kanë shkallë të ulët të vdekjeve ose infeksioneve, por ekspertët besojnë se numrat janë shumë më të lartë. Caroline Seguin, që menaxhon programet në Jemen për organizatën mjekësore “Doktorët pa kufij”, ka thënë se organizata beson se ka njerëz që po vdesin nga Covid-19 jo vetëm nëpër spitale. “Jemi të bindur se ka bartje lokale në vazhdimësi, por kapaciteti i testimeve është tejet, tejet i ulët”, ka thënë ajo për BBC-në.