Bedri Istrefi, kryeshefi i shkarkuar i Telekomit nga Bordi i Përkohshëm, në Interaktiv të KTV-së, tha se ende nuk e ka marrë konfirmimin për shkarkim.
“Pasi përfundova punën shkova në shtëpi, nga mediat mora njoftim. S’kam njoftim zyrtar për shkarkim. Këtë vendim në zyrat e partive politike, që është shkelje e madhe ligjore, nuk e njoh dhe nuk u bindem vendimeve të tilla politike me shkelje ligjore”, tha ai
Ai tha se do të bëjë kallëzim penal për shkelje ligjore ndaj Rozeta Hajdarit, ministres së MEPTINIS.
“Unë do të vazhdoj të dal në punë si çdo ditë tjetër”, tha ai.
Bordi i Përkohshëm ka caktuar Burbuqe Hanën ushtruese detyre të kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit.
Istrefi ironizon me bordin që e shkarkoi nga pozita e kryeshefit të Telekomit
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka ironizuar me bordin e ri të përkohshëm të Telekomit, që sot vendosi për shkarkim të tij. Sipas tij, ata janë “njerëz me shpejtësi të dritës”.
“Dy anëtarë të bordit të rinj që janë emëruar në orën 18:00 pasdite e nesër në 14:00 vlerësojnë performancën. Këta janë me shpejtësi të dritës. Ku mundet për dhjetë orë të matë performancën e secilit. Logjikisht mendojeni a ka një njeri mundësi të matë performancën e dikujt për 10 orë”, ka thënë ai.
Istrefi ka thënë se në bord janë vendosur “njerëz me mendime të njëjta të militantëve me shirita të kuq”.
Ai ka thënë se Qeveria në detyrë ka bërë shkelje ligjore kur ka shkarkuar anëtarë të bordi të përkohshëm për të caktuar të tjerët.