Kandidatja e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e fundit, injorohet nga partia e saj për Qeverinë e re

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është e painformuar me përpjekjet e partisë së saj – LDK-së, që të formojë Qeveri të re.

Ajo pas tryezës së thirrur nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, për pandeminë, tha se nuk është ftuar në takimet e partisë për këtë çështje.

Osmani ka shtuar se ka një kohë të gjatë që ajo nuk ftohet nga LDK-ja në takimet që i mbanë.

Reklama e sponzorizuar

Sot pritet të mblidhet Kryesia e ngushtë e LDK-së, kryetari dhe nënkryetarët, e ku bën pjesë edhe Osmani.

“Jam plotësisht e painformuar, sapo dëgjova se është edhe një takim tjetër lidhur me këto përpjeke që unë nuk jam ftuar, por kjo nuk është asgjë e re sepse ka një kohë të gjatë edhe para se të votohej mocioni, që në shumë takime nuk jam ftuar e as konsultuar. Dëgjova se ka takim në LDK se do të ndërmerren disa vendime rreth hapave të mëtutjeshëm por se nuk jam ftuar dhe nuk kam informacione”, ka thënë ajo.

Presidenti Hashim Thaçi, pritet që gjatë javës t’ia japë mandatin LDK-së për formimin e Qeverisë së re. VV-ja si fituese e zgjedhjeve ka thënë se do të çojë këtë vendim në Kushtetuese.

LDK-ja në zgjedhjet e 6 tetorit garoi me Vjosa Osmanin si kandidate për kryeministre. Osmani fitoi mbi 160 mijë vota apo 85 për qind të të gjitha votave të LDK-së.