Ish-sekretari amerikan i shtetit Henry Kissinger ka paralajmëruar se koronavirusi mund të shkaktojë një “katastrofë ekonomike” që mund të zgjasë për breza të tërë.
Në një shkrim në “The Wall Street Journal”, Kissinger thotë se SHBA-ja duhet të mbrojë qytetarët e saj nga kjo sëmundje, derisa duhet që urgjentisht të fillojë punën për planet e një epoke të re.
“Atmosfera surreale e pandemisë së Covid-19 më sjell ndër mend, se si ndjehesha në rininë time, kur isha pjesë e Divizionit të 84-të të Këmbësorisë gjatë Betejës në Bulge. Tani, ashtu si në fund të vitit 1944, ekziston një ndjenjë e rrezikut të sapo filluar, që nuk ka në shënjestër ndonjë person të veçantë, por që godiste në mënyrë rastësore dhe me shkatërrim. Por ekziston një ndryshim i rëndësishëm midis asaj kohe të largët dhe kohës tonë. Qëndrueshmëria amerikane atëherë u forcua prej një qëllimi final kombëtar”, shkruan ai.
Ai thotë se tani vendimtare është ruajtja e besimit të publikut, dhe paqja ndërkombëtare.
“Tani, në një vend të ndarë, një qeveri efikase dhe largpamëse është e nevojshme për të kapërcyer pengesat e pashembullta, në përmasa dhe në shtrirjen globale. Ruajtja e besimit të publikut është thelbësore për solidaritetin shoqëror, marrëdhëniet e shoqërive me njëra-tjetrën dhe paqen e stabilitetin ndërkombëtar”, shkruan Kissinger.
Ai shton se, “kombet bashkohen dhe lulëzojnë bazuar në besimin se institucionet e tyre mund të parashikojnë fatkeqësi, të ndalin ndikimin e tyre dhe të rivendosin stabilitetin”.
Sipas tij kur të mbarojë pandemia e Covid-19, institucionet e shumë vendeve do të perceptohen si të dështuara dhe është irrelevante nëse ky gjykim është objektivisht i drejtë.
“Realiteti është se bota s’do të jetë më kurrë e njëjta pas koronavirusit. E të debatosh tani për të kaluarën, vetëm sa e bënë më të vështirë atë se çfarë duhet të bëhet”, shkruan Kissinger, transmeton KOHA.
Tutje ai shkruan se koronavirusi ka bërë një goditje me forcë dhe egërsi të paprecedentë.
“Përhapja e tij është eksponenciale, rastet në SHBA po dyfishohen çdo pesë ditë. Ndërkohë që po shkruaj, ende nuk ka kurë. Pajisjet mjekësore janë të pamjaftueshme për të përballuar valët e rasteve që gjithnjë po zgjerohen. Njësitë e kujdesit intensiv janë në prag kolapsi. Testimi është i pamjaftueshëm, për kryerjen e detyrës së identifikimit të shtrirjes së infeksionit, aq më pak sprapsjes së tij. Prodhimi i një vaksine të suksesshme mund të marrë kohë 12-18 muaj”, shkruan Kissinger.
Sipas tij administrata e SHBA-së ka bërë punë solide në shmangien e një katastrofe të menjëhershme, porse testi përfundimtar do të jetë nëse përhapja e virusit mund të ndalet dhe të sprapset në atë shkallë që ruan besimin e publikut në aftësinë e amerikanëve për t’u vetqeverisur.
“Përpjekjet gjatë krizës, sado të gjera dhe të domosdoshme, nuk duhet të largojnë vëmendjen nga detyra urgjente për të lansuar të një përpjekje paralele për transicion drejt rendit post-koronavirus”, thotë Kissinger.
Ai shkruan më tutje se udhëheqësit po përballen me këtë krizë kryesisht mbi baza kombëtare, por impakti i virusit mbi shpërbërjen e shoqërive, nuk njeh kufij.
“Ndërkohë që sulmi ndaj shëndetit të njeriut do të jetë, shpresojmë, i përkohshëm, trazirat politike dhe ekonomike që ai ka nisur mund të zgjasin me gjenerata. Asnjë vend, madje as SHBA-ja, s’mund të kapërcejë këtë situatë vetëm me përpjekje kombëtare. Adresimi i nevojave momentale duhet të shoqërohet përfundimisht me një vizion dhe program global bashkëpunues. Nëse ne nuk mund t’i bëjmë të dyja këto njëkohësisht, do të përballemi me më të këqijat e secilës”, shkruan Kissinger.
Kissinger shton se SHBA-ja duhet të ndërmerrë masa në tri fusha, duke nxjerrë mësime nga zhvillimi i Planit Marshall dhe Projektit Manhattan.
“Së pari, të forcojë rezistencën globale ndaj sëmundjeve infektive. Triumfet e shkencës mjekësore si vaksina ndaj poliomielitit dhe zhdukja e lisë së dhenve, ose mrekullia statistikore-teknike e diagnozës mjekësore përmes inteligjencës artificiale, na kanë përgjumur në një vetëkënaqësi të rrezikshme. Ne kemi nevojë për të zhvilluar teknika dhe teknologji të reja për kontrollin e infeksionive dhe vaksinave, nëpër popullsi të mëdha. Qytetet, shtetet dhe rajonet duhet të përgatiten vazhdimisht për të mbrojtur njerëzit nga pandemitë përmes krijimit të stoqeve, planifikimit bashkëpunues dhe eksplorimit në kufijtë e shkencës”, shkruan Kissinger.
Së dyti, sipas tij, duhet të shërohen plagët e ekonomisë botërore.
“Udhëheqësit globalë kanë nxjerrë mësime të rëndësishme nga kriza financiare e vitit 2008. Kriza e tanishme ekonomike është më komplekse. Tkurrja e shkaktuar nga koronavirusi është, në shpejtësinë e saj dhe në përmasën globale që ka, ndryshe nga çdo gjë e njohur ndonjëherë në histori. Dhe masat e nevojshme për shëndetin publik, siç janë distancimi social dhe mbyllja e shkollave dhe bizneseve, po kontribuojnë në shtimin e dhimbjes ekonomike. Programet gjithashtu duhet të kërkojnë të zbusin efektet e kaosit që do të vijë, tek popullsitë më të rrezikuara në botë”, shkruan ai.
“E së treti, të mbrohen parimet e rendit liberal botëror”, thotë Kissinger.
“Themeli i qeverisjes moderne është një qytet me mure që mbrohet nga sundimtarë të pushtetshëm, ndonjëherë despotikë, ndonjëherë dashamirës, por gjithnjë mjaftueshëm të fortë që të mbrojnë njerëzit nga një armik i jashtëm”, shkruan Kissinger. “Mendimtarët e Iluminizmit e ribënë këtë koncept, duke thënë se qëllimi i shtetit legjitim është të sigurojë nevojat themelore të njerëzve: sigurinë, rendin, mirëqenien ekonomike dhe drejtësinë. Individët nuk mund t’i sigurojnë vetë këto gjëra. Pandemia ka nxitur një anakronizëm, një ringjallje të qytetit me mure, në një epokë kur prosperiteti varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve”.
Sipas Kissingerit demokracitë në botë duhet të mbrojnë e të ruajnë vlerat e tyre të Iluminizmit.
“Një tërheqje globale nga ekuilibrimi i pushtetit me legjitimitetin, do të bënte që kontrata sociale të shpërbëhej brenda shteteve dhe ndërkombëtarisht. Megjithatë, kjo çështje mijëravjeçare e legjitimitetit dhe pushtetit, nuk mund të zgjidhet njëkohësisht me përpjekjen për të kapërcyer plagën e hapur nga Covid-19. Nevojitet përmbajtje nga të gjitha palët, si në politikën e brendshme ashtu edhe në diplomacinë ndërkombëtare. Prioritetet duhet të përcaktohen qartë”, shkruan Kissinger.
Nga Beteja e Bulges, shkruan ai, kaluam në një botë me prosperitet të rritur, dhe me dinjitet të forcuar të njeriut.
“Tani, jetojmë një periudhë epokale. Sfida historike për udhëheqësit është të menaxhojnë krizën përderisa ndërtojnë të ardhmen. Dështimi mund t’i vë flakën botës”, shkruan Kissinger.