Organizata “Reporterët pa Kufij” në raportin më të ri e ka renditur Kosovën në vendin e 70 në botë sa i përket lirisë së shtypit. Kësisoj, Kosova i bie të jetë ngritur për 5 vende pasi vitin e kaluar, ajo ishte renditur e 75-ta.
Sipas “Reporters Withour Borders”, mediat në Kosovë, si pothuajse gjithçka tjetër në vend, mbetet e ndarë në vija etnike.
“Qasja në informacion shpesh është e kufizuar në një grup etnik ose politik, me shumicën e mediave që raportojnë kryesisht për çështje që kanë të bëjnë me kombësinë e tyre. Disa nga shqetësimet e përbashkëta janë sulmet fizike dhe verbale ndaj gazetarëve, sulmet në rrjete sociale ndaj mediave në internet si dhe mungesa e transparencës së pronësisë së mediave”, thuhet ndër tjera, raporton KOHA.
Shumë media në Kosovë nuk janë financiarisht të qëndrueshme, thuhet ndër tjera, gjë që i bën ata të ndjeshëm ndaj ndikimit politik dhe shpesh rezultojnë në vetë-censurim.
“Shumë media të pakicave janë në prag të zhdukjes, duke mbijetuar kryesisht nga donacionet e huaja. Fati i shumë gazetarëve në Kosovë mbetet i panjohur deri më tani, përfshirë ata gazetarë që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999”, thuhet ndër tjera.
Në këtë listë, Shqipëria është renditur e 84-ta, Maqedonia e Veriut e 92-ta e Serbia e 93-ta.