Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka njoftuar përmes një konference se ka pranuar dorëheqjen e Nenad Rashiqit nga posti i këshilltarit të tij për komunitete.
Kurti ka thënë se Rashiq e ka marrë këtë veprim pasi ndaj tij është ngritur aktakuzë, e që sipas kryeministrit në detyrë është “nga regjimi i vjetër i shtetit të kapur”.
“E kam çmuar dhe vazhdoj ta çmoj për korrektësinë e tij për profesionalizimin e tij, i bindur se ka dhënë kontribut për qytetarët. Pata vendosur ta emëroj këshilltar politik, mirëpo ende pa u bërë 2 javë nga emërimi i tij, atij iu ngrit një aktakuzë nga Prokuroria speciale. Unë besoj më pafajësinë e z. Rashiq. Bëhet fjalë për aktakuza në të cilën krerët e çështjes nuk ndodhën në aktakuzat që ngriten. Si zakonisht në këto aktakuzat e regjimit të vjetër të shtetit të kapur të Kosovës më e vlefshme është të shihet se cilët emra mungojnë sesa cilët emra shihen aty”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, Rashiq që po ashtu ishte në konferencë, tha se është i pafajshëm, porse këtë duhet ta dëshmojë.
“Një prej gjërave të para që mëson në politike, është që proceset gjyqësore nuk bën t’i komentoj, pasi duhet të besojmë në gjyqësor të pavarur. Por duhet t’ju them se çfarë kam përjetuar në 10 vitet e fundit. Unë kam qenë i angazhuar për çështje të ndjeshme, për punë sociale dhe kam kaluar nëpër shumë situata të pakëndshme. Unë jam i pafajshëm, por këtë duhet ta dëshmoj”, ka thënë Rashiq.