Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka dalë në ilegalitet me vendimin që t’ia japë mandatin për formim të qeverisë së re, pa zgjedhje, cilësdo parti apo koalicion që dëshmon që ka shumicën në Kuvend.
Ai ka thënë se presidenti doli në ilegalitet me mundësinë e dhënë nga krerët e ish-partnerit, LDK-së.
“Presidenti sot doli në ilegalitet. Formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Presidentit këtë mundësi ia dhanë krerët e LDK-së, të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e dhënë ndaj qytetarëve e ndaj nesh. Me këso veprime e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën të cilën ua shkurtoi vullneti i qytetarëve”, ka thënë ai në një konferencë për media.