Miroslav Lajçak ka heshtur Kosovën. Diplomati për të cilin në Prishtinë është ndarë spektri institucional e politik, është bërë përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Vendimin e ka marrë Këshilli i BE-së të premten, pas të cilit nuk ka pasur reagime nga zyrtarë institucionalë.
Lajçaku ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, njërit prej pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk ia ka njohur pavarësinë Kosovës.
Blloku politik i përfaqësuar nga presidenti Hashim Thaçi, në të cilin janë rreshtuar shumica e subjekteve politike, përfshirë LDK-në, PDK-në, AAK-në e Nismën, do që BE-ja të mos ketë rol në negociatat Kosovë-Serbi, transmeton KOHA.
Thaçi ka deklaruar më herët se “misioni i tij është i paracaktuar të dështojë”.
Mes pak njerëzve që ka folur pas emërimit, është ish-kryeministri Ramush Haradinaj, i cili e drejton AAK-në. Ai ka thënë se “në fazën e finales së madhe të dialogut dhe rolin udhëheqës të SHBA-së, BE-ja është duke zvarritur procesin”.
Mbështetur në deklarimet e kreut të shtetit, por edhe të liderëve të këtyre partive, qendra e dialogut duhet zhvendosur në Shtëpinë e Bardhë, ani se njohës vendorë e ndërkombëtarë druajnë se në Washington Kosovën e pret një zgjidhje e shpejtë që i prek edhe kufijtë. Si justifikim për zhvendosjen e adresës ku duhet zhvilluar dialogu, është përmendur edhe mosbesimi në Lajçakun, i cili mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, sikurse mban edhe vetë BE-ja.
Kryeministri Albin Kurti, Qeveria e të cilit është shkarkuar me mocion mosbesimi edhe me aminin e administratës së presidentit Donald Trump, insiston që dialogu nuk duhet ngutur dhe se ai duhet të vazhdojë në Bruksel, me rol aktiv të Shteteve të Bashkuara. Masat drejt zhbllokimit të dialogut të marra nga Kurti, si heqja graduale e tarifës ndaj Serbisë dhe vendosja e masave të reciprocitetit ndaj këtij shteti, vazhdimisht janë mbështetur nga BE-ja dhe vendet kryesore anëtare të saj.
Por, i dërguari special i presidentit Trump për negociatat për paqen mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ishte kundër reciprocitetit dhe kërkonte heqjen e pakushtëzuar të tarifës, pas së cilës vendimmarrjeje siguronte përfshirjen e Beogradit zyrtar në negociata.