Shteti i vogël evropian, Luksemburgu, e ka bërë një plan mjaft ambicioz për ta testuar tërë popullsinë për koronavirus brenda një muaji.
Qeveria e këtij vendi që shtrihet mes Gjermanisë, Francës e Belgjikës njoftoi se do ta fillojë programin e testimit nga 19 maji.
Claude Meisch, ministër i hulumtimeve, tha se çdo ditë mund të kryhen nga 20,000 teste në 17 qendra të ndryshme.
Luksemburgu ka një popullsi prej rreth 600,000 banorëve. Deri më tani i ka regjistruar 3,729 raste të infektimeve dhe 88 viktima të koronavirusit.
Për më tepër, 3,123 persona të infektuar janë shëruar dhe janë liruar nga spitalet, shkruan “The Guardian”.
Edhe Autoritetet e Andorrës filluan sot një fushatë të madhe për mbrojtje nga koronavirusi, e të mërkurën do të shkohet edhe një hap tutje.
Andorra ka rreth 77.000 banorë dhe planifikon të testojë të gjithë, njofton “Askanews” të hënën.
Deri më tash, rreth 50.000 banorë janë pajtuar të testohen, gjë që u mirëprit nga ministri i Shëndetësisë, Joan Martines Benaset.
Andorra ka investuar rreth 1.6 milionë euro në teste dhe materiale për kryerjen e tyre.
Plani është të testohen rreth 7.000 njerëz në ditë, në 11 lokacione në të gjithë shtetin që shtrihet ndërmjet Francës dhe Spanjës.
Franca dhe Spanja janë ndër vendet më të prekura nga pandemia.
Andorra deri më tash ka 740 raste pozitive dhe 40 të vdekur.